Friday, March 29, 2024
BallinaLajme​Vendosja e forcave speciale amerikane në Shqipëri, mbështetje edhe për Kosovën

​Vendosja e forcave speciale amerikane në Shqipëri, mbështetje edhe për Kosovën

Komanda e Operacioneve Speciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Evropë ka njoftuar ditën e djeshme se një shtab pararojë do të ngrihet në Shqipëri. Eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi thotë se në këtë formë do të ketë stabilitet dhe rritje të sigurisë në rajon. Sipas tij, kjo do të ofrojë mbështetje të madhe edhe për Kosovën, marrë parasysh kërcënimet e shtetit serb dhe Rusisë.


Ibishi për KosovaPress thekson se ngrehja e shtabit pararojë në Shqipëri, nënkupton siguri dhe stabilitet institucional.

“Kjo njëkohësisht e ngrit stabilitetin e sigurisë, qoftë të Shqipërisë, rajonit, por edhe të pjesës të Evropës nga kërcënimet dhe rreziqet që realisht po ndodhin. Edhe kjo është një pjesë e asaj çfarë lidhet me ndërveprimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, partnerëve strategjik të Amerikës, por edhe vendeve të rajonit nga një rast i caktuar të një përgjigje ndaj një kërcënimi apo rreziku që është realisht në rritje”, thotë Ibishi.

Në lidhje me këtë ka reaguar edhe kryeministri, Edi Rama, i cili ka thënë se vendndodhja e selisë në Shqipëri do të sigurojë një ndërveprueshmëri më të madhe me aleatët. Sipas tij, kjo shpreh një besueshmëri të lartë dhe bashkëpunim të afërt.

Eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi shprehet se pozita gjeostrategjike e Shqipërisë është shumë e favorshme.

“Pozita gjeostrategjike e Shqipërisë është jashtëzakonisht e mirë. Përveç anës tokësore që e ka të shkëlqyeshme dhe komunikimit, por e ka edhe pjesën detare. Edhe kjo i jep një përparësi të madhe të aspektit të mundësisë të ndërveprimit dhe një formë edhe të zbarkimit të forcave në raste eventuale për një operacion të mundshëm të Shteteve Bashkuara të Amerikës, gjegjësisht forcave të NATO-s por edhe partnerëve strategjikë evropian në këtë rast për këtë janë ngritur”, shton ai për KosovaPress.

Më tej, Ibishi thekson se Kosova së fundmi është përballur me kërcënime dhe provokime të shumta. Prandaj, siç thotë ai, ngritja e këtij shtabi do të jetë mbështetje e madhe edhe për vendin.

“Edhe për Kosovën është një mbështetje e madhe në përgjithësi për ballkanin. Sepse e ngrit sigurinë dhe stabilitetin përgjithësisht nga kërcënimet që realisht po ndodhin kohëve të fundit. Sidomos një çështje që edhe Republika Srpska po paraqitet me kërcënime të vazhdueshme të zhbërjes së shtetit të Boshnjë-Hercegovinës, por edhe armatimit enorm të Serbisë që ka arritur përmasa enorme, meqë ka tejkaluar edhe pritjet. Ata po shfrytëzojnë mundësinë dhe po thirren në një formë të neutralitetit”, përfundon Ibishi.

Ai thotë se pret reagime prej forcave të tjera të Rusisë, Serbisë dhe shteteve të tjera, por që kjo për Evropën e Ballkanin është një avantazh i madh.

Komanda e Operacioneve Speciale ka zyrën e vetme në Evropë në Shtutgart të Gjermanisë. Detyra e saj është që të planifikojë operacione speciale të forcave ushtarake amerikane dhe të dërgojë forca e verifikojë nëse ato po arrijnë objektivat e vendosur.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT