Friday, April 19, 2024
BallinaVitrina e libritUrtësiThënie nga Sami Frashëri, një prej mjendjeve më të ndritura të Rilindjes...

Thënie nga Sami Frashëri, një prej mjendjeve më të ndritura të Rilindjes Kombëtare

Sami Frashëri ishte një nga personazhet më të njohur dhe mendjet e ndritura të periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Gjatë jetës së tij intensive ai shkroi më shumë se 50 vepra, si fjalorë, enciklopedi, drama, vepra letrare etj., ndër të cilat edhe veprën “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”, e cila vlerësohet edhe si “Traktati politik i çështjes kombëtare shqiptare”.

Më poshtë po sjellim disa nga shprehjet më të bukura të Sami Frashërit:

– Përvoja është një shkollë, mësimet e së cilës kushtojnë shtrenjtë.

– Duhen shumë mend që të mund të shoqërohesh me njerëz pa mend.

– Në vend që të shesësh dituri dhe zotësi, përpiqu t’i fitosh ato.

– Mendimet e larta gjenden në fjalë të shkurtëra.

– Ato çka di njeriu, në krahasim me çka nuk di, janë kurgjë.

– Kush zotëron veten e tij, nuk zotërohet nga asnjeri; nuk e mund dot asnjeri atë që mund epshet e tij.

– Ai që pranon këshilla është më i madh se ai që jep, sepse, sa lehtë është të japësh këshilla, aq rëndë është t’i pranosh.

– Ai që nuk është në gjendje të ecë në rrugë të sheshtë, mos e shtrëngo t’i ngjitet malit.

Njeriu, para së gjithash, duhet të mësojë shkallën e paditurisë së tij.

– Paanësia është ajo që shkruan historinë, historia që shkruhet nga anësia, nuk është histori, është përrallë.

– Sa ka frikë kusari nga qeveria, edhe tirani aq trembet nga shkrimtarët, e sidomos nga historianët.

– Nuk duhet dyshuar për ndershmërinë e atij njeriu që e shajnë dhe e përbuzin lajkatarët.

– Atdhetaria dhe humanizmi bëhen me punë e jo me fjalë; kush tregohet i tillë me fjalë, është nje mashtrues.

– Historia është një procesverbal, i cili ligësitë e shekullit të tanishëm ia përcjell për gjykim gjykatës së opinionit publik të shekujve të ardhshëm.

– Kalben njerëzit e ndershëm aty ku lartësohen lajkatarët.

– I mençuri tregon shumë gjëra me pak fjalë; i marri flet tërë ditën dhe nuk tregon asgjë.

– Edukimi nuk humb te njeriu me mendje dhe zgjuarësi të kufizuar, por mendja dhe zgjuarësia humbin te njeriu i paedukuar.

– Një komb që nuk është në gjendje të dallojë lirinë nga robëria, është një fëmijë që ka nevojë të vazhdojë në shkollën foshnjore.

– Dituria dhe shkenca i jep njeriut një armë në dorë, edukata e stërvit në përdorimin e asaj arme. Njeriu që nuk është i zoti të përdorë armën, po t’i jipet në dorë mund të vrasë shokët e vet; edhe një dijetar pa edukatë dhe me vese të liga, me diturinë e tij dëmton veten dhe të tjerët.

– Mendja e një kombi është arsimi, zemra e tij ështe morali i përgjithshëm.

– Arsimi dhe qytetërimi i ngjajnë diellit që kur lind ndriçon vetëm majat e maleve të larta me një dritë të zbetë por pa shkuar gjatë i forcohet drita dhe nga shkëlqimi i tij përfitojnë përrenjtë më të thellë dhe fushat e luginat.

– Njeriun e bëjnë të përjetshëm veprat e tij.

– Më parë se për pasurinë, mjeshtërinë dhe tregtinë e një bashkësie (njerëzore), duhet menduar për edukimin e saj, sepse edukata e mirë është baza e bashkësive njerëzore.

– Njeriu mirret me dituri dhe me shkencë gjatë gjithë jetës së tij. Në fëmijëri i mëson ato, në rini i vë në zbatim e në pleqëri mëson të tjerët.

– Njerëzit janë të njejtë para natyrës, edukata i bën të dallohen (njëri nga tjetri).

– Njeriu me sa të rrojë më shumë sheh dhe më shumë mëson.

– Njeriu në të njëjtën kohë është edhe nxënës edhe mësues.

– Shërbimin që bën arsimi për përmirësimin e një kombi, ligji s’mund ta bëjë kurrë.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT