Thursday, April 25, 2024
BallinaKulturëArtBOB MARLI-SHPIRT I LIRË I BOTËS SË TRETË!

BOB MARLI-SHPIRT I LIRË I BOTËS SË TRETË!

Përfaqësuesi i shpresave të gjithë popullsisë së nënshtruar të Xhamajkës dhe zëdhënësi i fesë rastafari, Bob Marli nuk përçoi vetëm muzikë magjepsëse, por edhe mesazhin e paqes, që inkurajonte unitetin e botës, lirinë, dashurinë, si edhe guximin për të luftuar haptazi padrejtësinë dhe mjeriminIshte prilli 1978. Në Xhamajkë, gangsterët e paguar të dy partive politike që mbanin pushtetin po qëllonin njëri-tjetrin, duke lënë dhjetëra të vdekur rrugëve të kryeqytetit Kingston. Përleshja mes majtës dhe të djathtës, midis Partisë Laburiste të Xhamajkës dhe Partisë Kombëtare të Popullit, dukej më shumë si një luftë civile. Në atë kohë, Bob Marli ndodhej në Londër, por ishte i bindur që do kthehej në shtëpi për të marrë pjesë në një koncert të madh paqeje, me shpresën se mund t’i jepte fund dhunës. Po bënte gati dy vjet në Londër, ku ishte strehuar pasi dikush qëlloi mbi të, Ritën, bashkëshorten, si dhe menaxherin e tij, duke i plagosur që të tre. Ishte i përfshirë koncerti. Marli kishte një peshë, një audiencë të madhe, ai dëgjohej dhe, në atmosferën e ndezur xhamajkane, dikush nuk donte që ai të dilte në skenë. Prita gjatë natës, disa ditë para shfaqjes, me njerëz të armatosur që qëllonin drejt shtëpisë së tij, nuk e ndaloi, madje ia rriti karizmën edhe më shumë. Gjithsesi, ai këndoi, pavarësisht krahut të plagosur, edhe pse më vonë vendosi të mërgonte në Angli.

Kthimi në Xhamajkë për koncertin e paqes “One Love”, kështu u pagëzua ngjarja e vitit 1978, bëri që Marli jo vetëm të interpretonte, por arriti të bënte diçka të pamundur. Liderët e dy fraksioneve politike, armiq të betuar, ishin Edward Seaga, njeriu i ardhshëm i Reganit në ishullin Karaibe, dhe Michael Manley, kryeministri i cili kishte filluar një program të frymëzuar nga socialistët. Marli i thirri të dy në skenë dhe i bindi që të shtrëngonin duart para turmës. Nuk qe fundi i dhunës, që për hir të së vërtetës, më pas u rrit, por është e pamohueshme që ngarkesa simbolike ishte e madhe. Ky episod, thotë shumë për Bob Marlin. Jo vetëm artist, jo vetëm muzikant, por edhe njëfarë udhëzuesi shpirtëror, një njeri që u bë simbol, i farkëtuar nga ambienti ku ai u rrit.I pari rokstar nga bota e tretë, profet i muzikës rege, aktivist i rrethuar nga një atmosferë mistike, një personalitet i dashur dhe i ndjekur, zëri i atyre që nuk kishin zë… Shumë gjëra ndërthuren pazgjidhshmërisht në rrugën e tij. Natyrisht, ka muzikë, përfaqësuesi më i njohur i muzikës reggae. Njëherazi, ekziston historia e Xhamajkës, një ish-koloni britanike që fitoi pavarësinë vetëm më 1962, një ishull ku shumica e popullsisë rrjedh nga afrikanë të çrrënjosur nga toka e tyre nga tregtarët e skllevërve. Ekziston rastafarianizmi, çka nuk reduktohet te flokët dreadlocks, apo në fjollat e tymit të marihuanës, të cilat e karakterizojnë, por një lëvizje fetare me origjinë biblike që predikon kthimin e afrikanëve në atdheun e tyre. Ekziston konteksti i varfërisë së një getoje të vështirë, si ajo e “Trench Town” në Kingston, ku njerëzit vuajnë urie dhe ku muzika nuk është vetëm argëtim, por edhe ilaç, shpengim dhe një burim informacioni për atë që po ndodh. Pikërisht atje u rrit Robert Nesta Marley, në “Trench Town”, duke u transferuar në kryeqytet kur ishte vetëm 12-vjeç, pas një fëmijërie kaluar në humbëtirën “Nine Mile”.U lindi më 6 shkurt 1945, nga grua e zezë dhe një i bardhë, një fëmijë që nuk pranohej nga asnjë nga dy komunitet dhe shumë shpejt, do t’i duhet të mësojë të jetë i respektuar. Bobi i vogël është një djalë i fortë dhe muzika do t’i japë forcë. I mësoi elementet e para të kitarës në oborrin e shtëpisë, në mes të njerëzve që vëzhgojnë, marrin pjesë, sugjerojnë vargje këngësh.

Atë që do të këndojë, shpengimin nga shtypja, uria dhe mjerimi, ai, ndryshe nga shumë kolegë të tijtë, në fakt e ka njohur dhe jetuar në kurriz. Koncertet e tij, si ai i San Siros 1980, do të mblidhnin turma prej 100 000 personash, flitet për pothuajse si përvoja mistike. Marli gjithmonë e ka konsideruar veten një njeri me një mision dhe nga kjo pikëpamje ekspozimi, fama dhe suksesi, i kanë dhënë një dorë në përmbushjen e detyrës, që ia kishte caktuar vetes në mënyrën më efektive, duke sjellë mesazhin e tij në të gjithë botën.“Nuk kam ambicie, – deklaroi një herë, – kam vetëm një gjë, që dua vërtet. Do të doja ta shihja njerëzimin, të jetonte së bashku. Zezakët, të bardhët, kinezët, të gjithë. Kjo është e gjitha”.Punoi deri në fund për këtë kauzë, edhe kur sëmundja po e gërryente nga brenda. Bob Marli ndërroi jetë në vitin 1981, në një spital në Miami, Florida në moshën 36-vjeçare. Disa ditë më vonë, ishulli i tij i organizoi një funeral shtetëror të jashtëzakonshëm. “Ai luftoi për drejtësi dhe ishte një ngushëllim për të shtypurit”, – tha në fjalimin e tij Edward Seaga, kryeministri i asaj kohe.Dyzet vjet pas vdekjes, Bob Marley nuk është harruar aspak. Koleksioni i hiteve “Legend”, dalë në 1984, ka shitur miliona kopje në mbarë botën. Reggae, edhe kur Marley ishte gjallë, u konsolidua si një nga gjuhët moderne muzikore, duke u përhapur në të gjithë planetin, duke ndryshuar, kontaminuar, ndikuar në kulturat dhe kundërkulturat. Një profet muzikor hera-herës i mbështjellë me tymnajën e marihuanës, mbartës i mesazhit të paqes, dashurisë, tolerancës dhe rezistencës, një mesazh pozitiv, i aftë të të qetësojë, t’i bëjë njerëzit të mendojnë dhe të kërcejnë, por asnjëherë të nënshtruar, sepse dikush që rritet në geto, është mësuar të ngrihet dhe të luftojë, të rezistojë, të mos dorëzohet dhe të mos e shmangë luftën, mbi të gjitha atë për të drejtat: të tijat dhe të të gjithëve.Janë këngët që Bob Marlin e bënë të pavdekshëm: “No woman no cry”, “Exodus”, “Jammin”, etj. “Këngët e tij ngushëllojnë shpirtrat e trazuar, ushqejnë flakët e rezistencës dhe të nxisin të fillosh festën, shpesh vetëm me një goditje”, – shprehet Tom Morello.(konica.al)

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT