Friday, April 19, 2024
BallinaKulturëFilmKujtojmë sot 96 vjetorin e lindjes së aktores Violeta Manushi

Kujtojmë sot 96 vjetorin e lindjes së aktores Violeta Manushi

Kujtojmë sot 96 vjetorin e lindjes së aktores Violeta Manushi. Nderim dhe respekt për figurën e saj!Violeta Manushi (1926-2007). Lindi në Korçë, më 6 mars. Nisi herët aktivizimin e saj në Lëvizjen Amatore. Roli i saj i parë, sado që episodik, ishte ai në dramën “Akimi” të V. Eftimiut, më 1 maj 1945, vënë në skenë nga regjisori Sokrat Mio në Ansamblin e Ushtrisë.Më 1 prill 1946, e regjistruar më parë në Shkollën Dramatike , filloi punë njëkohësisht edhe në Teatrin e Shtetit si aktore profesioniste, ku luajti me një sens të hollë humori rolin e Filomenës në komedinë “Qypi me Flori” të Gjon Karmës. Në dramen “Orët e Kremlinit” (1957) e N. Pogodinit, luajti njëheresh tri figura episodike, por të tria karaktere të mëvetësishme.Më vonë realizoi dy figura interesante, missis Pejxhi te komedia e Shekspirit “Gratë gazmore” të Uindsorit (1959) dhe zonja Dulska në komedinë tragjike të Gabriela Zapolskës, “Morali i zonjës Dulska” (1962), ku spikati për sensin e saj të humorit, konkretësinë, përshtatjen ndaj rolit dhe vërtetësinë e të vepruarit në skenë një grua amicioze, kokëfortë dhe llafazane, disi të vrazhdë, që për interesa të ngushta ekonomike ishte e gatshme të sakrifikonte edhe të drejtën elementare të martesës së djalit të vet për të pasur një familje të shëndoshë.Në lojën e saj u ndje kujdesi për të krijuar një figurë me mbartje e frymezim nga humori popullor. Shumë role të tjera të viteve ’50 shpërfaqin talentin e V. Manushit si aktore karakteresh, me sens komik dhe një të vetëndjerë të saktë e tejet organik. Qysh në keto vite u vu re ndjesia realiste dhe natyrshmëria e interpretimit të aktores, një mënyrë e shpenguar dhe e çlirët e sjelljes së saj në skene, lidhja me partnerin, trajtimi i fjalës dhe i dialogut përgjithësisht në tone bisedore, familjare e të natyrshme.Në vitin 1964 luajti plot hir komik rolin e Olimbisë te komedia “Karnavalet e Korçës” e Spiro Çomorës, nje grua provicionale, sa e shtirë e lajkatare ,po aq nervoze, e pasjellshme, që mësonte të ishte, madje, “e fisme”, e kulturuar, nga “derë e madhe e opingarëve”. Së toku me Viktor Gjokën si Nikollaqi, dhe më pas edhe me Ilia Shytin po në këtë rol, ajo krijoi marrëdhënie aktoriale të besueshme e të vërteta deri në sjelljet dhe hollesitë më të imta, një dyshe të mrekullueshme e të papërsëritshme. Në vitin 1968 mishëroi, përmes linjave të një humori elegant, rolin e Zyrasë te drama “Fytyra e dytë” e Dritëro Agollit.

Me krijimin e figurës së Ollgës te komeditë dhe më pas filmat “Zonja nga qyteti” (1975) dhe “Një shoqe nga fshati” (1980) të Ruzhdi Pulahës, V. Manushi mbërriti në nje nga pikat e saj më të larta, gjithashtu nga krijimet aktoriale më të pëlqyera me njohje dhe impakt të gjerë te shikuesi, duke theksuar sa mbartjen konservatore dhe mendësinë provinciale të figurës, po aq edhe një shpirt të thyeshëm, të mirë, human. Kjo qasje krijoi në interpretimin e aktores një ekuilibër të brendshëm psikologjik lidhur me mishërimin e kaheve dhe prirjeve kontradiktore të vetë personazhit, çka solli, nga ana tjetër,, nxjerrjen më mirë në pah të vërtetësisë dhe frymës realiste të saj.Roli i Nicës te “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, roman i Ismail Kadaresë dramatizuar nga Pirro Mani (1971), si dhe në filmin me po këtë titull, e paraqiti V. Manushin në një tjetër prerje interpretative, në atë të dramatikes dhe të tragjikes; kurse roli i hallës, Ritës, te komedia “Pallati 176” e Adelina Balashit, e risolli sërish në gjedhen e parapëlqyer të komedisë me skicimin e një karakteri origjinal. Gjatë karrierës së saj mbi 50-vjeçare ajo luajti mbi 103 role, karrierë e cila, pas një heshtjeje të gjate rinisi me një aktivizim të ri në moshë të thyer, në vitet 2000, me disa role. Më 1997 iu dha “Kupa e karrierës” në Festivalin e Teatrove, Tiranë.Në vitin 2003 mori pjesë në komedinë “Koha pa emër” e Ruzhdi Pulahës në teatrin “A.Z. Çajupi” të Korçës, ku realizoi me sukses e hijeshi rolin e gjyshes uloke e të shurdhuar. Me këtë rol fitoi çmimin si “Aktorja më e mirë në role të dyta” në Festivalin e Dramës Shqipe në Gjilan, Kosovë, 2004. Figurat e shumta të V. Manushit, sidomos karakteret, pas vërtetësisë dhe pasurisë shpirtërore, bien në sy edhe për plasticitetin e tyre interpretative. V. Manushi ka luajtur edhe në 17 filma, ndër ta: “Tana”, “Debatik”, “Vitet e para”, “Plagë të vjetra”, “Një vonesë e vogël”, “Taulanti kërkon një motër”, “Rrethimi i vogël”, “Eja”, “Zonja nga qyteti” “Një shoqe nga fshati” etj.Me rolin e Ollgës (“Zonja nga qyteti”, 1976) fitoi Medaljonin e Festivalit II të Filmit Shqiptar. Mban titullin “Artiste e Popullit”. Ndahet nga jeta në Tirane, më 27 korrik 2007

Marre nga Aktoret shqiptare

.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT