Saturday, October 1, 2022
BallinaVitrina e libritPirro Minella Millona- Unë dhe kujtimet, herë më ndjekin pas, herë i...

Pirro Minella Millona- Unë dhe kujtimet, herë më ndjekin pas, herë i ndjek pas në labirinthet e jetës…!!!”

Bashkëjetoj me kujtimet e mbledhura në “ditarin” e shpirtit tim.

Ashtu janë të palosura, të ndara në ditë, muaj dhe vite.

Në rrjeshta të rregullta si kuadratet e ushtarëve në parakalimet e mëdha jubilare.

Herë vijnë, si batica në një det të qetë, herë tërhiqen si dallgët e detit nga hiret e vashëzës në breg të tij.

Vijnë kujtimet edhe aty tek kodra e liqenit mes gjelbërimit të praruar të grumbulluara nga era pa drejtim të caktuar.

Ehhh…sa kujtime më ndjekin nga fëmijëria ime, nga çapat e dobëta, të pasigurta të motakut, diku në rrugicat e lagjes “Kala” Elbasan,apo pak më të sigurta, tek shtëpia përballë Furrës se Xhevat Kobures. .

Vrapojnë bëhen më të sigurta në vitet e fëmijërisë në Gjirokastër.

Kujtimet vijnë edhe nga gjunjët e vrarë, në sokaket me kalldrëm qëndisur të Gjirokastrës.

Vijne dhe nga psherëtimat e ndjenjave të para djaloshare.

Por sigurisht, që jeta ka patur edhe pauza të shkurtëra dhe kujtimet në ato grimca jete, humbasin, shkrijnë ashtu papritur si shkrin topi i bores në dorën, aty duke luajtur në oborrin e “Koto Hoxhit” në ditët e dimrit

Kujtimet e jetës time vrapojnë aty në oborrin e shkollës, tek vinim çantat në rradhë.

Kujtimet vazhdojnë të rradhiten edhe në bangat e klasës ku merrja dijet për të nesërmen.

Dhe ashtu në heshtje vështrova si rriteshin dhe zbukuroheshin çdo ditë hiret e shoqes time të bangës.

Kujtimet më shoqëronin edhe në ato vënde ku mblidhnim lule shqerë për kurorë dhe luanim lojën tonë, të petaleve tërë ankth ” më, do apo nuk më do”.

Dhe sot ato kujtime të kohës të pafajshme janë kthyer si vesa në mëngjesin e praruar, që shpejt zhduket nga rrezet e para të Diellit.

Kujtimet na ndjekin edhe në vitet e gjimnazit, kur me shokun më të ngushtë jemi zënë për “syëmbëlen” gjimnazisten e vitit të parë.

Në vorbullën e kujtimeve janë edhe ëndrrat e trishta, zhgënjimet djaloshare, por është ajo shpresë e brishtë, si një lule e bukur diku në faqen e malit.

Kujtimet tona jane edhe si lule të brishta, që i kalojme shpesh herë në mendjet tona edhe në takimet me shokët e fëmijërisë, shumë prej tyre i ka vyshkur koha e pamërshishme..

Shume kujtime ashtu janë si prushi mbuluar nga hiri në mangallin e braktisur, që më një fryrje prushërojnë dhe djegin përsëri.

Shpesh kujtimet tona janë edhe nën qerpiket, në pika loti të pafshira, që një ditë me shpresë, se ajo dora, që i shkaktoi, do ti fshijë.

Kujtimet janë sa jeta e shkurtër, e ndërlikuar me zigzajet e veta……

….Kujtimet tona të mbledhura gjatë viteve, mos kujtoni se largohen, jo ato rrinë të strukura diku, në dhomëzën e fshehtë të shpirtit, nuk largohen asnjëherë, presin rastin të dalin, të të risjellin ato çastet e lumtura të tyre….

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT