Tuesday, October 4, 2022
BallinaNgjyra jeteMBRESA NGA QYTETI I BLIRIT

MBRESA NGA QYTETI I BLIRIT

MBRESA NGA QYTETI I BLIRIT

Shkruan: Demir Reshiti

Çdo vit që shkoj për pushime në llixhat e Peshkopisë (në fillim të muajit shtator), pjesë e agjendës sime është edhe ecja e mëngjesit. Kilometrin e fundit të ecjes mëngjesore zakonisht e bëj nëpër bulevardin “Elez Isufi” i cili quhet edhe “Bulevardi i blirëve” për shkak të drunjve të blirit të mbjella nga te dy anët e këtij bulevardi. Madje, edhe vetë qytetin e Peshkopisë e quajnë Qyteti i Blirit për shkak të këtyre drunjve që e bëjnë të veçantë këtë qytet…

Diku në mes të këtij bulevardi, mu përballë shtatores së kryeheroit kombëtar Skënderbeu, të bie në sy një dyqan rrobash me emrin “Butik Cibaku” me një vitrinë me xhama të shkëlqyer në tërë gjerësinë e tij, në të cilin ekspozohen veshje të modës së fundit për femra e meshkuj. Pronar i këtij butiku është miku im i çmuar Shkëlqim Cibaku, me të cilin jam njohur para shtatë vitesh kur isha për herë të parë në llixhat e Peshkopisë dhe që nga atëherë na ka ngelur një miqësi konstante. Sa herë jam në Peshkopi është i pashmangshëm takimi me Shkëlqimin, siç është e pashmangshme edhe biseda rreth mbesave e nipave (te dy jemi gjyshër)!

Shkëlqimi është familjar i përkushtuar, afarist i suksesshëm, intelektual i mirëfilltë e mbi të gjitha njeri me kuptimin e plot të fjalës.  

Rastisi që në ditën e parë të ecjes mëngjesore ta takoj Shkëlqimin i cili kishte hapur butikun para orës shtatë, jo për të punuar por për t’i marrë enët për qumështin që do të shkonte ta merrte në fshat. Pasi u përshëndetem siç e do zakoni, Shkëlqimi dhe bashkëshortja e tij Fllanza na luten që të ndalemi për kafe por nuk u ndalem sepse ne na prishej rendi i ecjes kurse atyre rendi i punës! I premtuam se një ditë tjetër do t’ju vemi në vizitë dhe të qëndronim më gjatë sepse kishim për çfarë të bisedonim… 

Të nesërmen më erdhi një mesazh i shkurtër nga Shkëlqimi në telefonin tim me tekstin: Kur po e pimë kafenë o Demo! Ia ktheva se do të shkonim pasdite nëse e gjejmë aty dhe ashtu bëmë. Rreth orës tre pasdite, bashkë me bashkëshorten time shkuam në dyqanin e miqve Cibaku ku na priten me shumë dashamirësi.

Këndshëm rridhte muhabeti ndërmjet miqve të të njëjtit gjak nga Opoja e Dibra, shoqëruar nga kafeja e mrekullueshme që rrallëkund e gjen!

Pas këmbimit të disa dhuratave modeste, Shkëlqimi më propozoi që të vemi në fshatin e tij të lindjes Sohodoll.  Ky fshat që shtrihet në kilometrin e gjashtë të rrugës Peshkopi – Kukës, më kishte bërë përshtypje kaherë për shkak të emrit të përafërt me fshatin Suhodoll të Mitrovicës por edhe për faktin se aq shumë ma kishte “shishmuar” miku e kolegu im, gazetari i mirënjohur Defrim Methasani, i cili ndonëse prej shumë vitesh jeton në Tiranë, nuk i ka shkëputur për asnjë moment lidhjet me fshatin e tij të lindjes por edhe me Dibrën e tij të cilën s’ka ditë që të mos e përmend.

Fshati Sohodoll është një ndër tre fshatrat më të mëdhenj të Dibrës. Një fshat plot histori qëndrese, mençurie, diturie, me njerëz bujarë e zemërbardhë! I bukur shumë në fizionomi, ai merr akoma nuanca më të bukura nga banorët punëtorë e të urtë që të hapin dyert dhe të mirëpresin në çdo kohë. Me një fjalë, Sohodolli është një perlë e Dibrës, thonë dibranët dhe jo vetëm!

Në Sohodoll doja të shkoja edhe për një arsye tjetër. Aty jetonin dy vëllezërit e Shkëlqimit, Fejziu dhe Vasfiu të cilët dëshiroja t’i njihja nga afër siç e njihja vëllain më të ri të Shkëlqimit,  Qeramin, të cilin e kisha takuar disa herë në Peshkopi por edhe në Prishtinë gjatë vizitave që përfaqësuesit e Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSh) i bënin institucionit simotër Zyrës Kombëtare të Auditimit ku unë punoj. Qerami është një ekspert i shkëlqyer i auditimit që punon në KLSh dhe autor i disa librave me vlerë nga fusha e auditimit.

Rrugën për në Sohodoll e bëmë me dy makina. Printe Shkëlqimi me makinën e tij dhe ecte ngadalë, tamam për të ma krijuar mundësinë që t’i shijoj bukuritë e fshatit.  Në hyrje të fshatit, më ra në sy një tabelë me mbishkrimin “Kompleksi sportiv Methasani”. Për një moment pranë këtij kompleksi e ndalova makinën dhe e bëra një fotografi për t’ia dërguar kolegut Dëfrim Methasani që t’i tregoja se isha në fshatin e tij. Dëfrimin e kemi mik të përbashkët unë e Shkëlqimi, madje Shkëlqimin ai me të drejtë e quan përfaqësues dinjitoz i Sohodollit!

Derisa po vazhdonim udhëtimin rrugicave të asfaltuara të fshatit, më binin në sy oborret me shumë pemë e lule që i jepnin fshatit një pamje mahnitëse… Makina e Shkëlqimit u ndal për një moment përpara një dere të madhe të cilën e hapi vëllai i tij Vasfiu dhe na dëshiroi mirëseardhje me shumë dashamirësi. Edhe pse po e takoja për herë të parë, kisha përshtypjen se me Vasfiun njiheshim prej kohësh. Vasfiu është drejtor në shkollën e fshatit ku punon si pedagoge edhe bashkëshortja e tij, një zonjë e respektuar që na uroj mirëseardhje dhe pa kaluar as tre minuta na e mbushi tryezën me pije, ëmbëlsira e fruta të freskëta nga kopshti plot pemë, nën hijen e të cilave u ulem. Në çast erdhi e na u bashkëngjit vëllai i madh Fejziu me bashkëshorten e tij. Fejziu me profesion ishte veteriner, nga më të njohurit e zonës dhe burrë zotëri që gëzonte respekt të veçantë edhe nga vëllezërit, si më i madhi që ishte.

Në fytyrat e ngazëllyera të nikoqirëve vërehej qartë se i kishte gëzuar prania e mysafirëve nga Kosova. Ndonëse asnjëherë nuk e kam vënë në dyshim mikpritjen dibrane, mikpritja që na e bënë familja Cibaku, dukej se i tejkalonte kufijtë e një mikpritjeje të zakonshme. Rridhte natyrshëm biseda për jetën, familjet por edhe për hallet dhe sfidat e përbashkëta që kemi si komb. Aq shpejt fluturuan rreth dy orë të qëndrimit në atë ambient të këndshëm sa na u duk se qëndruam vetëm dy minuta!

U larguam me përshtypjet më të mira nga mikpritja që na e bëri kjo familje bujare duke i ftuar që të na vijnë edhe ata për vizitë.

Në të kthyer, Shkëlqimi këmbënguli që të ndalemi për kafe në hotel “Veri” ku vazhduam edhe për nja gjysmë ore në një ambient të bukur të këtij hoteli, ndër më të njohurit në qytetin e Peshkopisë.

* * *

Pas dy ditësh përsëri u takova me Shkëlqimin. Insistova që të pinim kafe në një lokal afër butikut të tij. Dëshiroja që të ishim vetëm unë e ai sepse më nevojiteshin disa të dhëna për familjen Cibaku. Duke qenë se më kishte lënë përshtypje të jashtëzakonshme harmonia familjare dhe dashuria e respekti që kishin mes tyre vëllezërit Cibaku, dëshiroja të mësoja se nga e ka burimin kjo harmoni. Nuk e thonë rastësisht se fëmijë të mirë lindin nga prindër të mirë. Dhe ishin pikërisht prindërit Bexhet e Shahe Cibaku, ata që ua kishin bërë kokën Fejziut, Shkëlqimit, Vasfiut, Qeramit, Sanijes e Teftës, i kishin rritur e edukuar me përkushtim këta gjashtë fëmijë të mrekullueshëm. Bexheti ishte një nga burrat më të respektuar të zonës dhe për rreth 40 vite kishte punuar si arsimtar duke edukuar breza të tërë nxënësish që sot e përmendin me respekt e admirim.

Shkëlqimi më tregonte për afërsinë e veçantë që kanë pasur prindërit e tij mes vete, për respektin e ndërsjellë gjë që është trashëguar edhe nga brezat tjerë. Derisa ishte duke më treguar se te dy prindërit e tij e pinin duhanin, Shkëlqimi kishte ndezur një cigare dhe më pyeti nëse më pengonte. Ishim në ambient të hapur dhe tymi shpërndahej gjithandej pa më penguar ndonëse i tregoja atij që duhanin nuk e doja, madje e urreja. Isha duke ia treguar disa shembuj nga përvoja ime me duhanxhinj kur më ndërpreu duke më kërkuar falje dhe bëri një veprim që me befasoi për të mirë. I nxori nga paketa ato 7-8 cigare sa i kishin mbetur dhe copëtoi përgjysmë ndërsa shkrepësen ma la mua në dorë duke thënë se që nga ai moment nuk do ta fus më kurrë në gojë duhanin! Ta them të drejtën u ndjeva pak keq sepse mendova se me atë qëndrimin tim anti-duhan e detyrova ta bëj këtë veprim, por u rehatova kur më tregoi se ka kohë që e kishte ndarë mendjen ta bëj një veprim të tillë dhe ky ishte momenti që t’i ndajë rrugët me duhanin! Realisht me këtë veprim po më bënte nder edhe mua sepse në një formë akti që bëri në praninë time dëshmonte edhe njëherë sa i madh ishte respekti i ndërsjellë… Shkrepësen ia dhurova kamerierit dhe e luta që të na e bëj një fotografi duke e fokusuar edhe tavllën e  duhanit ku qëndronin cigaret e thyera!

E ndjeva për detyrë që ta përshkruaj këtë moment me qëllim që të ngelët një kujtim i bukur nga takimet e mia me Shkëlqimin…

Të shtunën më 10 shtator, ditën që kisha përfunduar qëndrimin në llixha dhe po ktheheshim për në Kosovë, nuk mund të iknim pa u përshëndetur me çiftin Fllanza e Shkëlqim Cibaku. E ndaluam makinën afër dyqanit të tyre dhe shkuam e u përshëndetëm duke i falënderuar edhe një herë për mikpritjen e jashtëzakonshme që na e bënë jo vetëm këtë radhë por sa herë shkojmë në Peshkopi, në qytetin me aromë bliri e me njerëz mikpritës e bujarë.
U ndamë me një shtrëngim duarsh dhe urimet më të mira për njëri-tjetrin, ashtu siç ndahen miqtë e mirë për t’u takuar përsëri.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT