Friday, March 29, 2024
BallinaVitrina e libritPajtim Xhelo-Me hijen time i dyzuar

Pajtim Xhelo-Me hijen time i dyzuar

Me hijen time i dyzuar

I huaj qyteti po më duket
Dhe unë mysafir shurdhmemec,
Tej, anëdetit, vala nis struket,
Dhe koha, për çudi, diku ngec.


Atje ku nxituam nisi dita,
Tani nga tren’ i fundit po zbres,
Këtu u linda, këtu u rrita,
Dhe vjeshtën e vonuar po pres.


Nis flas me veten, me hijen time,
Edhe pse s’di në ç’gjuhë t’i flas,
Jet’ e vjetër u ngrit në shtegtime,
Dhe tretem në merak, në maras.


Sa herë më vranë, po u ngrita,
Nga hiri im si feniks sërish,
Që lart, nga yjet, më zbriti drita,
Po ëndrra hyjnore më nuk kish.


Pa jet’ e vjetër mbet në kujtime,
Me stinët ngatërruar shpesh herë,
Lodhur e trazuar në mundime,
Si një shpirt që endet nëpër erë

.
Me asnjë nuk më ngjan ky qytet,
Trenit të fundit tani po zbres,
Territ që hesht rënduar…Medet!
Kë do takoj? Nuk di kë po pres.


Çapitem ngadalë, i trishtuar,
Si gjeth, braktisur në trotuar,
Me hijen time jam i dyzuar,
Si mik i paftuar, vetmitar.


Pa s’e mendoja, s’e kam besuar,
Në këtë qytet të jem qyqar,
Vlonjatët e mi, zogj të mërguar,
Kuaj që enden nëpër acar.


Eh, se ç’po ndihem një psherëtimë,
Një britmë pa zë në shkretëtirë,
Në një natë pus një shkrepëtime,
Trembur nga një ëndërr ndaj të gdhirë.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT