Hieroglife në lëkurë…
Mbaj në lëkurë
si dorëshkrim,
në çdo centimetër,
si një penë e vjetër
që lidh gërmat në fjalë
zinxhir me hallkë
në shtyllën kurrizore,
ku ka jetë…
Çdo rruazë një plagë,
nga gishtërinj të metaltë,
një testament të vjetër
në muret e frymës,
për shpirtin e sëmurë
nga çmenduria ime
që s’njohu kufij kurrë,
Mbledh copëzat e shkruara
nga një engjëll rebel, krahëthyer
në marrosje ndienjash,
harruar, ngre mure hieroglifesh
në tempullin tim të shenjtë,
të pakapërcyeshëm nga vdekja
që vetëm rend e rend,
në një tjetër kohë
të luaj me ne të dy
…
Në një epokë të re
hieroglifet mbesin dëshmi, se si,
me lëkurën e njeriut,
u vesh një engjëll njeri,
që mbeti i palexuar…
Engjëjt refuzojnë të ‘vdesin’…!
(kështu ishte shkruar)