Friday, March 29, 2024
BallinaKalendari EnciklopedikHistoriBib Doda, princi zë madh i Mirditës.

Bib Doda, princi zë madh i Mirditës.

Bib Doda, ishte ndër përsonalitet më të rëndësishëm e më me ndikim të kohës së tij. Lindi në Orosh në vitin 1820 në familjen kapidanore të Gjomarkajve. I ati, Dod Prenga, e la të vogël, pasi vdes në Dubrovnik, si pasojë e një helmimi që kishte marrë që në Shkodër. Bib Doda në moshën 24 vjeçare vihet në krye të Mirditës, ku shumë shpejt, tregoi aftësi të rralla drejtuese.

Me 16 Prill të vitit 1844, Papa Gregori XVI-të, për merita të veçanta, e nderoi Bib Dodën me “Urdhërin e Shën Gregorit”. Në letër, Papa Gregori XVI-të, i drejtohet Bib Dodës me fjalët “Biri i Zgjedhur Princi i Mirditasve”.

Në vitin 1849, Bib Dodës iu dha titulli “Pasha”, e më pas grada “Gjeneral Brigade” nga Perandoria Osmane, dhe iu njoh e drejta të komandonte një ushtri prej 10 mijë ushtarësh.

Në luftën Ruso-Turke (Lufta e Krimesë) në vitin 1854, Bib Doda me mirditasit, mbajtën anën e aleatëve: Turqi, Angli, Francë dhe Piemonte. Luftë ku treguan trimëri e aftësi të rrallë. Është koha kur Bib Doda dhe Mirdita arrijnë kulmin e lavdisë, në arenën ndërkombëtare. U nderuan nga Perandoria Osmane, e fituan simpatinë e Francës, e cila mbajti nën mbrojtje Mirditën dhe prijësit e saj. Napoleoni i III-të i Francës, i dhuron në shenjë respekti Bib Dodës “Shpatën e Argjendtë”.

Dom Ndoc Nikaj në librin “Kujtime të nji jetës së kalueme”, do të shkruante: “Në luftën që u ba në Sevastopull, Bib Doda si kapidan i Mirditës ishte gjetë aty me trimni…Këtë pjesë historie, më ra ma vonë kur kjeshë i rritun, me e ndigjue me veshë të mij nga tata jem, qi aso kohe, kje gjetë dhe ai në Sevastopull në shërbim të ushtrisë francezë. Mirdita që ishte kenë mbrapa me ushtritë turke, n’atë ditë e pshtoj ushtrinë turko-frënge me një taktikë lufte të përdonun nga kapidani i tyne Bib Doda, i cili tu vërejt se rust vijshin tue afrue, rreshtoi 4000 mirditasit e vet përballë rusëve e me shpejtësi të rrufeshme urdhëroi: ’Në shpinë meca’. U larguen njani pas tjetrit dhe të gjithë njiherë ranë në shpinë përdhe. Bataret e pushkëve të rusve kalonin përpjetë e nuk mund t’i merrnin ato të shtrimë përtokë, ndërsa ato mbushën pushkët shtrimas në njënën bri dhe porsa ato çojshin kryet pushkatojshin ushtarët rusë që ishin në kambë. Kjo dredhi bëri që të binin në tokë rreth 4000 rusë. Pasi i eleminuan morën varkat dhe dolën në anën tjetër të Danubit, duke u pritur me brohori prej gjithë ushtrisë sikur mirditasit të ishin Sulltani i Stambollës dhe Napoleoni i Tretë i Francës”.

Kapidan Bib Doda vdiq në Shkodër, me 18 korrik 1868. U varros me nderime të mëdha në varrezat e reja të Shkodrës. Kundërshtarët e tij dhe të Mirditës, e nxorrën prej varrit duke i zhveshur të gjitha gjërat me vlerë. Ky veprim i ulët ngjalli urrejtje në Mirditë. Qindra mirditas u nisën për në Shkodër për një hakmarrje të ashpër.

Konsullata Franceze ndërhyri shpejt dhe qetësoi gjendjen. U vendos që autoritetet të organizonin një varrim të dytë me nderimet e duhura.

Marre nga faqja ne Facebook MIRDITA:Histori dhe aktualitet
TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT