Tuesday, January 31, 2023
BallinaTurizmiUra e Kordhocës, nyja lidhëse e rrugës që bashkonte kryeqendrat e Vilajetit...

Ura e Kordhocës, nyja lidhëse e rrugës që bashkonte kryeqendrat e Vilajetit të Janinës

Ura e Kordhocës është Monument Kulture i Kategorisë I dhe nyje e rëndësishme e rrugës së vjetër që lidhte dy anët e luginës së Drinos. E ndërtuar rreth 200 vite më parë nga Ali Pashë Tepelena, më 1820, kjo urë ishte pjesë e rrugës që lidhte qytetet kryesore të vilajetit të Janinës në atë periudhë; Janinën, Libohovën, Gjirokastrën e më tej Tepelenën.

Ura është ngritur mbi lumin Drino, rreth 4 km në jug-lindje të qytetit të Gjirokastrës, përfund fshatit Lazarat. Ajo është ndërtuar me gurë të zinj të zonës, ndërsa mbushja e saj është bërë me gurë gëlqeror. Konstruksioni i kësaj vepre ka të gërshetuar stilin e arkitekturës lokale me atë orientale osmane. Ura e Kordhocës është e gjatë 20 metra dhe e lartë 7 metra në pikun e saj. Ka pesë harqe, të dekoruar bukur me punime në gurin e zi, të cilat, sëbashku me shtrimin e plotë me kalldrëm në të gjithë gjatësinë, i japin vlera të mëdha historike e arkitekturore.

Në restaurimin e fundit që i është bërë kësaj ure në vitin 2018, janë zbuluar edhe disa nga sekretet e teknikave të ndërtimit të saj. Gjatë procesit të përforcimit të një prej këmbëve të urës u zbulua se poshtë saj gjendeshin një numër i konsiderueshëm trarësh druri, të ngulur thellë në shtratin e lumit, mbi të cilat ishte vendosur dhe qëndronte vetë këmba e urës. Trarët e drurit, edhe pse mbi 200 vjeçarë, ishin në gjendje shumë të mirë, të pa degraduar nga lagështira përgjatë viteve dhe shekujve. Ekspertët konstatuan se trarët e drurit, të përdorur si bazament për këmbët e urës, i kishin dhënë asaj një qëndrueshmëri shumë më të mirë dhe kishin shërbyer si amortizatorë të lëvizjeve të tokës prej tëmeteve apo nga shkarja e dherave.

Ura është funksionale për kalimin e këmbësorëve dhe automjetëve edhe sot, ashtu sikursë ka qenë për kalorësit e karvanet qëmoti. Ajo ka shërbyer si skenë xhirimi edhe për disa filma artistik shqiptar, si “Muri i gjallë”, “Liri a vdekje” dhe “Dasma e Sakos”. Turistë e vizitorë mund të provojnë eksperiencën e udhetarëve dhe rrugëtimeve të vjetra, nëpër rrugën që vazhdonte nga Gjirokastra, kalonte mbi Urën e Kordhocës, ecte përmes luginës së Drinos, kalonte në Urën e Zonjës mbi lumin e Suhës (urë monument kulture edhe kjo, e ndërtuar në të njëjtën periudhë) dhe arrinte në Libohovë. Më tej rruga kalonte përfund malit Bureto dhe vazhdonte për në Janinë.

burimi i lajmit Libohova Post

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT