Friday, March 29, 2024
BallinaUncategorizedPirro Minella Millona-." Më kujto mikja ime, kur pjek gështenja, mbi stufë...

Pirro Minella Millona-.” Më kujto mikja ime, kur pjek gështenja, mbi stufë dhe jashte bie shi…!!!”

…Ehhh…. filloi stina e pjekjes së gështenjave!!

U tundova dhe bleva një “racion”, por gështenjapjekësi më bëri një ftesë, siç duket ma lexoi mendimin tim.

-Ulu në vendin tim dhe bë një foto, jam i sigurtë se këto gështenja të sollën diçka në kujtimet e tua….

E di filluan shirat, që nuk pushojnë në atë qytet të vogël.

Më kujto, kur trikon ke hedhur krahëve, duke u marrë këtë mbrëmje me gështenjat, që kërcasin, kur piqen dhe lëshojnë aromën e tyre.

Jashtë vjeshta e artë është duke ja lënë stafetën dimrit të ashpër, trotuaret e qytetit tënd janë të mbuluara nga gjethet e rëna, që kanë ndërruar dhe ngyrën e tyre, në të kuqe të çuditshme, që të ndjellin atë nostalgjinë e dikurshme…

Kur vija me shërbim dhe dilnim fshehurazi aty poshtë në këmbët e urës, duke vështruar lumin me “kapacitetin” e tij maksimal, nga prurjet e shirave të vjeshtes, pastaj merrnim rrugën në atë shteg të ngushte dhe Ti e kishe bërë gati “strehën” tonë të ngrohtë…

Më kujto mikja ime një mëngjes si zakonisht para filxhanit të kafes të përzier me pak qumesht, e vetme në heshtjen tënde, ulur në kolltuk duke dëgjuar këngë të atyre viteve e kredhur në mendime.

Më kujto edhe kur shfleton një libër me poezi, ato fletët të zverdhur, Ty të pëlqenin poezite e Shandon, hungarezit të dashuruar përgjithmonë, do të kujtohen disa vargje të tij:

“Ti ishe lulja më e bukur,

Që gjithë jetën ma zbukurove,

Një dritëz brënda meje strukur,

Që u shua dhe terri më mbuloi…”

Më kujto mikja ime edhe duke gatuar drekën, ato gjellë që të dy i preferonim dikur, gatimin karakteristik të qytetit tënd të vogël, por tepër të bukur dhe mikpritës, i shquar për “zahiretë ” e dimrit të ashpër dhe të gjatë..

Tani është fund vjeshte dhe bie shi i shtruar, më kujto mikja ime dhe mua. Pikerisht në këto ditë të para te dhjetorit, kur vjeshta është në ditët e fundit të saj, diku ashtu me ngadalë, kur ti del për të marre ushqime dhe era që është pjesë e qytetit tënd të shpupurit flokët e tua të buta si mendafshi, si dikur unë…

Po vjen dimri mikja ime dhe qyteti yt e do borën dhe e ka prezent për një kohë të gjatë, pikerisht në një ditë të tillë, kur qyteti të jetë thinjur krejt nga bardhësia e borës më kujto mua.

Janë hapat e parë të borës, që bie shtruar. me ty jam mikja ime.

Më kujto pranë stufës, ku ke vënë çajnikun me çajin tënd të preferuar, atë të malit, që nuk e ndrron me asnjë tjetër të mbledhur lart në mal, që e merr qysh në fillim vjeshtje për tërë dimrin.

Me filxhanin në dorë do të afrohesh në dritaren, që shikon nga rruga dhe nga avulli i tij xhamat do të mbulohen dhe ti me dorën, që të dridhet pak do të shkruash, si dikur emrin tim, që jeton deri në mëngjes, sa ikën dhe gjurma e fundit e avullit.

Jam dhe unë aty me Ty kur të bjerë shiu ditën tjetër më kujto mikja ime. E di që je zgjuar herët në mëngjes, se nuk e bën gjumin e qetë, nga ëndërrat, që të marrin edhe një pikë lot në sytë e tu, që nuk i fshin, por i lejon të zbresin edhe ata në lumin e qytetit tënd.

Më kujto mua kudo mikja ime dhe në trupin tënd në ato nishane të bukura, që ke sapo ti zbulosh, kur zhvishesh ngadalë, më kujto si ti puthja me aq ëmbëlsi.

….Jam aty mikja ime, kur bie shi në qytetin tënd të vogël, por të bukur, se vetëm une e di se çfarë ngjyre marrin në ato çaste sytë e tu, ku shprehin mall të pashuar…..

Artikulli paraprak
Artikulli i ardhshëm
TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT