Tuesday, April 16, 2024
BallinaVitrina e libritDin Mehmeti-MALLKIMI I GJAKUT

Din Mehmeti-MALLKIMI I GJAKUT

MALLKIMI I GJAKUT

Zbraze, zbraze një pushkë
në derë të oborrit, o Zeqë Shpati!
Le të zgjohen të përgjumurit
strofujve të gjëmimeve shekullore,
Se sot po na shkon Fata e po shuhet kënga e dashurisë
që këndoi plangjeve tona!
Po te shkon Fatë zeza, o bacë
me sy të qëndisur me ngjyrën e kopshteve,
me buzë posa të skuqura në bukën e misrit të ri….

O, çikë e pate
E jo fëmijë të gjetur buzë rrugëve!
O, e as rroktare jo
Për të punuar nëpër ara

Pse je shurdhuar, bre bacë?
A s’kallesh në flakën e krahëve të vogëlushes së dashur
Që e fale pa dëshirën e saj?

Po të shkon Fata me flokë bishtaleca të shelgjishteve
në zbërthim,
me harqe vetullash—dy krahë lejleku në fluturim,
me bebëza vizëlluse—dy liqene të fshehura
në pishnajë….

O, ae di, Zeq Shpati,
se për ty vetima hapësirën shpon
lumenjtë dalin nga shtrati me zllapa pikëllimi në brigje,
se mordja mbi pullaze zdirgjet dhe lëpin jetën
E pëllumbave
që ajo ushqyer i ka me troha buke në shtigje

Zbraze fjalën si pushkën dikur, o Zeq Shpati
qëllo hallkën e vargonjve të ndryshkur
duarve të vogëlusheve tona
se
S’është kanu gjaku yt të mallkojë!…

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT