Thursday, April 18, 2024
BallinaKalendari EnciklopedikHistoria e filmit “Zonja nga qyteti”

Historia e filmit “Zonja nga qyteti”

Historia flet për lidhjet mes fshatit dhe një zonje nga qyteti, e cila u zhvendos nga Korca për të jetuar në fshat së bashku me vajzën e saj të bukur. Meli, që sapo ka mbaruar studimet, emërohet ndihmësmjeke në fshat. Ollga, e ëma me ta marrë vesh bën çmos për ta rregulluar të bijën me punë në qytet. Situatat komike në film krijohen kryesisht ndërmjet koncepteve të Ollgës për jetën në përgjithësi dhe realitetit. Vendimi i Ollgës për të jetuar me Melin, vajzën e saj që punon si ndihmësmjeke fshati, kthehet në situata plot peripeci. Pas një mundimi të tërë letërkembimi për të gjetur një dhëndër qyteti Ollga i prezanton Melit, Koçin që hiqet si skulptor i vërtetë. Por Meli ka rënë në dashuri me Bujarin dhe nuk shkulet nga fshati. Teto Ollga, me pahir e pranon lidhjen e dashurisë. Ajo, që në fillimisht kishte një ndjenjë superioriteti ndaj banorëve të fshatit, në fund e gjen veten mes tyre duke punuar si kuzhiniere dhe duke kontribuar për komunitetin.

Ngarjet e teto Ollgës dhe të Melit, përpara se të testoheshin në film, u shfaqën në teatër, të shkruara nga pena e mrekullueshme e dramaturgut Ruzhdi Pulaha. Gjatë shërbimeve si gazetar i Radio-Tiranës, në një fshat të thellë malor, dikur, ai kishte njohur një nënë me të bijën, e cila ishte emëruar të punonte aty. Të ardhura nga një prej qyteteve kryesore të vendit ato e kishin tepër të vështirë të ambientoheshin me jetën e fshatit, sidomos e ëma, Ollga, e cila duke u hequr si “Zonjë”binte shpesh në pozita shumë komike. Kjo ngjarje e vërtetë e ka ngacmuar Pulahën dhe fillimisht ai ka shkruar një tregim, më pas e ka shtjelluar si linjë subjekti të një romani, deri sa e ngjiti në skenë si komedi. Një komedi e cila nga skena e teatrit do të kalonte në sheshe xhirime, për tú shndërruar në një nga komeditë filmike më të dashura për publikun shqiptar. E tillë është me pak fjalë historia e krijimit të filmit, që krijoi një nga personazhet më të dashur të kinemasë: Teto Ollgën.

Aktorja Violeta Manushi mund të ketë pasur shumë role në film e në teatër, por Ollga te filmi “Zonja nga qyteti” e bëri atë të pavdekshme. Në fakt “Zonja nga qyteti” e skenës, ishte interpretuar nga aktorja korçare Dhorkë Orgocka. E megjithatë, regjisori Piro Milkani, për rolin e e Ollgës në film, zgjodhi aktoren Violeta Manushin duke e bërë atë të pavdekshme me këtë rol. Sipas zgjedhjes së regjisorit, në kompleksitet figura e saj qëndronte më mirë. Për shkak të psikofizikës, ishte më e përshtatshmja. Në atë kohë, Violeta ishte në të 50­at, mosha e duhur për atë rol.

Manushi, me lojën e saj jo vetëm bëri të pavdekshme Ollgën por shndërroi Tushemishtin, vendxhirimin e këtij filmi në një vend pelegrinazhi për turistët dhe bujtësit në qytetin e bukur të Pogradecit, pasi filmi u xhirua në fshatin Tushemisht dhe në Pogradec. Rreth një muaj qëndroi grupi I xhirimit atje. Tushemishti është një fshat i vogël afër Pogradecit në Shqipëri. Ndodhet në Brigjet e Liqenit të Ohrit në kufirin mes Shqipërisë dhe Maqedonisë. Fshati u bë i famshëm në Shqipëri pas shfaqjes për herë të parë të filmit komedi “Zonja nga Qyteti”.

Krahas Violeta Manushit, në film interpretojnë Raimonda Bulku, Yllka Mujo, Pandi Raidhit, Stavri Shkurti, Vasillaq Vangjeli, Sotiraq Bratko, Piro Kita e të tjerë. Raimonda Bulku, një yll në ngjitje, asaj kohe një vajzë shumë e re, gjimnaziste, interpretonte rolin e Melit, vajzës së Ollgës, ndërsa pati një partner të denjë në krah, aktorin e ri korçar, Pirro Kita. Ai ishte një djalë i ri, në fillimet e tij në botën e aktrimit. Por, edhe pjesa tjetër më e madhe e aktorëve në film, Yllka Mujo, Piro Kita, Sotiraq Bratko, etj, ishin të rinj në moshë, gjë që i bëri xhirimet e këtij filmi shumë të këndshme. Për grupin e filmit, xhirimet ishin gati një piknik, pasi punët ecnin aq mirë e aq natyrshëm sa ju dukej të gjithëve se kishin shkuar për t’u argëtuar.

Protagonistët e filmit tregojnë se ditët e xhirimeve kanë qenë vërtetë shumë të bukura. Të gjitha ditët kanë qenë si festë që shpërthente në kohën e lirë, në darkë. Të rinjtë mblidheshin bashkë me banorët e flisnin deri vonë, duke krijuar një klimë mjaft të ngrohtë mes tyre dhe duke krijuar kujtime të paharrueshme mes tyre. Por gjëja më pikante e filmit, është padyshim e qeshura e Koçit, personazhit pseudoskulptor, që vjen nga qyteti për t’u njohur e martuar me Melin. Një rol i shkëlqyer i Vasillaq Vangjelit, një rol unik i tij në kinematograf

I gjithë grupi i filmit u lidh me një miqësi të fortë që vazhdoi edhe me kthimin në Tiranë, madje vijoi edhe me filmin “Një shoqe nga fshati”, një zgjatim i historisë së parë, por që nuk pati suksesin e madh të filmit “Zonja nga qyteti”.

Ky film, sigurisht që nuk do të ishte i tillë, pa Malon, postierin që Ollga e hedh në ujë, pa Stavri Shkurtin dhe Pandi Raidhin. Nuk do të ishte i tillë as pa muzikën e kompozuar enkas nga Agim Krajka, që e bën këtë film kaq identifikues dhe të pëlqyer për të gjitha kohërat.   

Filmi “Zonja nga qyteti”, një film i realizuar në mesin e viteve ’80, hyri menjëherë në zemrat e publikut dhe vazhdon të jetë. Ky film do ta bënte kinemanë e Milkanit më të dashurën e më të komunikueshme me shikuesin. Aq i famshëm është ky film, sa edhe brezat e rinj e njohin Violeta Manushin si Teto Ollga. Pëpjekjet e saj për një burrë të mirë për vajzën, u bënë kaq të dashura për shqiptarët, sa mjafton të përmendësh titullin, për të vijuar me batuta pa fund.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT