MARSI
Mars, ti erdhe përsëri,siç ke ardhur mijëra herë,
Dhe në shportën tënde solle prapë për ne një copë pranverë.
Dega e pemës ka nxjerrë sytha,thotë u nisa të shpërthej,
Unë kam hyrë thotë tash në valle ndaj dhe dua të kërcej.
Je muaj trim dhe me guxim i bën gjërat si do ti,
Nëpër luftra je kalitur ndaj të kanë quajtur perëndi.
Zot i luftës,trimërive që zhvesh shpatën për mejdan,
Dhe patrembur del n’duele dhe na tremb me jatagan.
Edhe ne patëm shumë luftra mu në mars kur hyre ti,
Dhe u shkrimë i madh e i vogël për të bukurën fjalë liri.
Por shpeshherë o miku im ca të tjerë ta kanë zili,
Brenda tyre pushon smira dhe e keqja xhelozi.
Ti vjen gjithmonë trimërisht midis të bukurave luleborë,
Dhe për ty e nisin këngën të gjithë zogjtë bashkë në një kor.
U qesh fytyra u qesh buza me ngazëllimin pranveror,
Ndryshimin që sjell natyra të gjithë e prekin vetë me dorë.
Qengjat dalin në lëndinë dhe kërcejnë gjithë lumturi,
Edhe fëmijët si kalorës fluturojnë plot fantazi.
Je i dashur dhe je mik,ndaj të themi mars ,o trim,
Një buçetë me luleborë të gjithë ta japim me gëzim.