Friday, March 29, 2024
BallinaVitrina e libritNamik Selmani-Stacioni i braktisur

Namik Selmani-Stacioni i braktisur

Stacioni i braktisur
Nënës sime

Kur vija i lodhur nga udhë të mjegullta, të largëta,
Ndaloja te ky stacion i heshtur, në diell dhe në shi.
Pas hapit të parë lija pas vetes vagonat e gjata
Më priste nëna, me supe mbështjellë me shall të zi.


E duart me rrudha m’i zgjaste, me krahë ëngjëllorë.
Më hidhte një xhaketë të vjetër, të ngrohtë në sup.
Nga një bohçe më nxirrte një kulaç të ngrohtë
Ca fjalë ëmbëltore më thurte si gjerdan pa fund.


Më hidhte një triko leshi të thurur me mall nëpër netë.
Më përkëdhelte në faqet që i skuqte dëbora e dimrit.
Çfarë deti dallgëzonte në gjoksin e nënës së shtrenjtë?
Çfarë ylberesh diellorë në sytë e saj rrezorë ndrinin?


Më pyeste për libra, për shkronja, për zile shkollore.
Për netët ku ëndrra për nënën kurrë s’flinte
.. Dhe treni diku, pas pas grykave në male gjarpëronte.
Dhe fishkëllinte si zog i vetmuar nëpër brigje.


Tani stacioni është i boshtë, pa drita, pa njerëz
Trenat e rinisë janë larg, të futur në sinorë përralle.
E nëna diku, mes luleve të varrit gdhin netët
Me duar të hirëzuara po prek dyer parajse


E shinat janë ndryshkur, janë zverdhur si fletët
Kanë mall për trena, për njerëz, për përkëdhelje
Unë prek si gjysh nga Pema e Viteve gjethet e degët.
Me urimin prindëror thur vargje të përjetshme.


E nis një përrua lotësh e brengash mes gjoksit të thinjur
Në stacionin e vetmuar pa nënën, pa sirena, pa dritë.
Si në një film bardhë e zi vjen AJO, me dorën e ngritur.
Ajo, shenjtorja, fjalëurta, princesha e MIRËSISË.


Ç’më vjen në sinorë kujtimesh, o stacion i vetmuar!
Në brigje të largëta sjell zile malli që bien pa pushuar

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT