Ti… Grua…
Martire e brishtë
e tkurrur me vështrimin e përhumbur
aty ku nuk ekziston një fije zëri
apo shprese
britma dëshpërimi nga jeta e ndotur
në lotët e përzier me baltën e kuqe,
thonj… gërvishtje
mishëruar brenda shpirtit të përvuajtur.
Ti… grua… Çohu përsëri!
Zhvishu nga gjithçka që mohon
“Perëndeshën” brenda teje!
Çarmatosu nga kufiri
i durimit, i dhunimit!
Hiqe vellon e venitur
maskën e errësirës së përjetshme.
Çlirohu nga ai që nuk i meriton
grimcat e buzëqeshjes tënde të rrallë
e lagësht në buzët e tua.
Ti… Grua…
Jeto sërish!
Hapi duart
ku merr frymë forca e jetës!
Lulëzo përsëri!
Këndo! Buzëqesh!
Ulëri për lirinë tënde
burgut të jetesës së neveritshme
që perëndon rrugëtimin tënd.
Ti… grua…
Madhështore… Unike… Hyjnore.
Jeto!