Kërkoj falje mik, premtimin nuk e kam mbajtur
Isha prap në Shqipëri, mirëpo ty nuk të takova
Sa shpejt më iku koha, nuk e di se nga ka vajtur
Por më beso miku im, asnjëherë nuk të harrova
Kam lutur ëndrren të më çoj përtej Qafë Thanës
Një dëshirë të ma plotësoj, të fluturoj në lartësi
Të ndalem te kalaja, lart në Prezë afër Tiranës
Te një mik i shpirtit tim dua të çmallëm përsëri
E kam lutur ëndrrën të më çoj mua kah Delvina
Shijoj detin afër Sarandës, uji, si kristali i pastër
Bashkangjitën miqtë e mi nga Llapi e Prishtina
E kthejmë natën në poezi te kalaja n’Gjirokastër
E kam lutur ëndrrën time afër Bunës të më çoj
Atje lart te kalaja dua prap të ngjitem kodrës
Në qytetin e kulturës, miqtë e mi dua t”i takoj
Dua të çmallemi prap, atje te liqeni i Shkodrës
E kam lutur ëndrren time të më çoj përtej Drinit
Miqtë e mi në Elbasan ka kohë nuk i kam takuar
Të çmallem duke shëtitur bregut të Shkumbinit
Edhe në muret e kalasë “Të dua” e kisha shkruar
Kam lutur ëndrrën time të më çoj te Vau i Dejës
Kundër rrymës së ujit edhe njëherë dua të notoj
Të arrij ku buron Drini, lart në bjeshkë afër Pejës
Atje kam një mik të zemrës, edhe njëherë ta përqafoj
E kam lutur ëndrren te bjeshkët e mia të më çoj
Prej Mirditës në Malësi miqtë e mi nuk i takova
Kudo je nëpër botë i lutëm perëndisë të të bekoj
Prano urime të përzemërta, të fala nga Kosova