Sunday, December 1, 2024
BallinaVitrina e libritDRITA E BARDHË DHE MËSHIRA PËR NJERËZIMIN

DRITA E BARDHË DHE MËSHIRA PËR NJERËZIMIN

Nga Rudi Berisha, redaktor

Drita e bardhë është koha, jeta dhe edukata që shpirti i njeriut të mirë me kalimin e viteve e përqafon. Të jesh nën petkun e mëshirës është bukur, por të jesh njeri që je afër atyre që kanë nevojë dhe t’i mëshirosh në ditët e vështira dhe në ditët që ata kanë nevojë, është akoma më bukur, jo vetëm për ata persona, por për shpirtin tuaj. Në këtë ditë me diellin e ngrohtë, si një rreze drite na vjen vëllimi poetik i titulluar “Bardhësia e dritës”, i autorit Dr. Phil. Xhavit Lipaj.
Autori Dr. Phil. Xhavit Lipaj faqet e këtij libri i hap me vargjet te poezia e titulluar „Mëshira“, ku autori përshkruan shpirtin e tij human dhe mëshirën, si diçka e cila është e ngjitur thellë në shpirtin e tij. Po, mëshira është edhe dritë, edhe bardhësi, edhe ngrohtësi, por mbi të gjitha është litar që lidh diellin me hënën, tokën me qiellin dhe dashurinë me të vuajturin në tokë. Po ashtu drita largon errësirën, errësira mbytet nga drita. Aty ku ka bardhësi drite, kurrë nuk ka errësirë. Autori në vargje ligjëron:

“Mëshira është deti që s’ka breg
Valë të qeta sjell e zemrën prek
Shtrihet larg deri në qiellin blu
Deri në thellësitë që askush
S’i ka parë kurrë më parë”

Ajo është drita që rrugën ndriçon
Kur errësira shpirtin e njeriut mbulon
Në zemrën e lodhur në sytë e tharë
Si shi nga lart bie i butë
Pa zhurmë, ngadalë”

Çdoherë ne jemi në rrugëtim për të marrë më të mirën nga jeta dhe për të realizuar ëndërrat tona. Rrugët tona në shumë raste bëhen të pakalueshme, bëhen të rënda. Jo nga fakti që ne nuk mund të çojmë pesha aq të rënda mbi supe, por në mendjen dhe ndërdijen tonë i vendosim ca pengesa dhe ato bëhen mure të mëdha. E ato mure na duken shumë vështirë t’i kalojmë më pas. Mirëpo, ëndërrat janë ato që vrasin dhe rrënojnë muret. Ëndërrat që nuk hapin shtigje për t’i realizuar dhe bërë realitet, mbesin vetëm ëndërra të bukura për t’i ëndërruar, por janë si shkumë e detit që shuhet dhe humb shpejt në vetë ujin e detit. Çdo ëndërr në fillim është një kështjellë. Për të arritur te kjo kështjellë, duhet të bësh rrugë të gjatë. Shumë kështjella janë në majat e brigjeve, në thellësi të maleve, në lartësi të shkrepave, por vetëm ai që ka durim në pritje, ka forcë që edhe nëse këmbët i përgjaken duke ecur deri te kështjella, vetëm ai do të arrijë atje, do të arrijë të jetë pronar i kështjellës, qoftë edhe në fundin e botës! Në këtë rast, autori Dr. Phil. Xhavit Lipaj ka arritur që të fitojë një kështjellë të ndërtuar me gurët e lashtësisë dhe ëndërrat e tij në shumë fusha të jetës të bëhen realitet. Autori në vargje ligjëron:

 “Ëndërrat si flutura të arta në ajrin e natës
Ngrihen nga zemra ime
Si avuj të ftohtë në qiellin e bardhë.

Ëndërroj për rrugë të gjata të pakalueshme
Ku çdo hap mban peshën e yjeve që shuhen ngadalë,

Në thellësinë e errësirës ku bota hesht
Një kështjellë e brishtë ndërtohet me dritë të largët”

Dashuria është një uragan që shpërthen dhe merr me vete gjithçka. Dashuria është një ndjenjë që të përqafon, por nëse ajo të ikë, atëherë ju do të jeni zemërthyer për kohë të gjatë. Dashuria lë vragë në çdo zemër. Ajo është lindje që nuk ka fund, por është edhe dhimbje që fundi nuk i shihet. Dashuria është melhemi që prek thellësinë e shpirtit, por është edhe si një gotë kristali që thyhet lehtë. Dashurinë nuk duhet që ta ruajmë, por duhet kultivuar, duhet ujitur me dashuri, e ujitja nga ju me shpirtin tuaj me dashuri, vetëm atëherë atë dashuri do ta ruash përjetësisht. Në shumë raste gjërat që i ruajmë fort, në shumicën e jetës i humbim lehtë. Nëse dashuria është thesar (diamant), atëherë lufta juaj bëhet për ta ruajtur atë sepse hajdutët e rrugës mund ta vjedhin. Kështu që ne në shumë raste duke u munduar ta mbrojmë, ne harrojmë ta shijojmë, edhe pse e kemi në duar dhe është brenda nesh dashuria. Dashurinë lëre të rrjedhë lirshëm, nëse dëshironi t’ia shijoni rrënjët e saj. Po ashtu në vargjet e autorit Dr. Phil. Xhavit Lipaj, kushtuar dashurisë, mësojmë se si rrënjët e dashurisë janë pa rregulla. Ajo nuk ka fare vija të kuqe apo mure ndarëse, pra është një bimë që lind dhe rritet brenda shpirtit e në ca raste pa e kuptuar fare ne, nuk kuptojmë se çka po ndodhë, si ramë në dashuri kokë e këmbë. Autori në vargje ligjëron:

“Në dashuri nuk ka kufij e nuk ka rregulla të ngurta
Ajo thjesht ekziston e lirë dhe e pashembullt
Mund të vijë pa paralajmërim si një fllad i ëmbël veror
Ose të lind ngadalë e duke u rritur në zemër
Si një pemë që shtrihet në qiell”

Në këtë vëllim poetik kushtuar vlerës dhe ndjenjës më të pastër, dashurisë, autori Dr. Phil. Xhavit Lipaj na sjell në vargjet e tij dashurinë si një gurë i ngrohtë, i cili në çdo moment mund të pëlcas dhe të thyej zemra. Na sjell heshtjen dhe urtësinë e moshës së vjetër. Sjell plagët, dhembjet, të mbeshtjellura me mbulesën e qiellit të kaltër. Në shumë raste në të njëjtën tokë ecin dy zemra që ndjejnë njësoj, kanë peshë të madhe, por ndarjen dhe udhëtimin nuk e shohin njejtë. Dyfytyrësia nga disa njerëz të cilët ditën duken si të bardhë, natën bëhen më të errët se vetë nata. Të tillët ditën e përdorin si një mbulesë për rrugët e tyre dhe veprimet e tyre. Autori Lipaj mundohet t’ua heq këtë maskë njerëzve të tillë në kohë të duhur. Autori në vargje ligjëron:

“Nuk kam kuptuar kurrë si disa njerëz sillen ndryshe
Në dritë fytyrë të pastër e në terr shpirtin e zymtë
Buzëqeshin ëmbël ndërsa helmin e thurin fshehur
Gjuhë prej mjalti, por fjalët e tyre shigjeta tmerri’’

Dr. Phil. Xhavit Lipaj në këtë vëllim poetik të titulluar ‘‘Bardhësia e dritës’’, të poezitë e këtij autori në shumë vargje hasim furtuna të mëdha, por nuk mund të kalojë e të mos ketë edhe vargje për varfëri. Në vargje shkruan ose për të kaluarën e tij të rëndë ose i ndikuar nga aktualiteti që sheh dhe prekim çdo ditë në trojet tona, te familjet e nderuara të popullit tonë, kanë mbetur në shumë raste në mëshirën e fatit. Autori në vargje ligjëron:

“Është buka që mungon në sofrën e zbrazët
Është dritarja e thyer ku era hyn pa mëshirë
Janë duart e një fëmije që kërkojnë shpresë
Në një botë që i sheh, por shpesh nuk i dëgjon’’

Për ta përforcuar se varfëria është një zinxhir i cili të lidh fort këmbët dhe duart, i cili nuk të jep hapësirë për të lëvizur në bardhësinë e dritës, nuk ke shumë mundësi që të shohësh ditët se si po lindin dhe perëndojnë. Varfëria nuk është mungesa që një familje nuk ka pasuri, por është egoja e pangopur e të pasurve që nuk ndalen kurrë, vetëm duke gllabëruar pa zgjedhur mjete dhe mënyrë që të pasurohen në kurriz të të varfëritë. Autori në vargje ligjëron:

“Varfëria nuk është vetëm mungesa e pasurisë
Ajo është ndjenja e një shpirti të braktisur
Një ëndërr e thyer që kurrë s’pa dritë
Një jetë e ndaluar, pa zgjidhje e pa rrugëdalje”

Nga të gjitha udhët që ecë autori Dr. Phil. Xhavit Lipaj, nga këto udhë ka marrë nga një copë të kujtimit të tyre dhe i ka grimcuar në shumë vargje për t’i qëndisur në letrën e bardhë.
Autori Lipaj me penën e tij të mbushur me lot, dhembje dhe gjak, gjen forcën dhe bëhet një trup i pathyeshëm që të shkruajë me fuqinë e dorës dhe të shpirtit, në pikturën e diellit dhe të hënës. Në mes të yjeve, në lëndinat e fshatit, dëgjon cicërimat e zogjve. Natën flet me heshtjen, pret bardhësinë e dritës që të zbardhë dhomën nga xhamat e dritares së kujtimit të tij. Në murin e shpirtit ka gdhendur emrat e më të dashurve të tij. Aty mbanë kujtimet e mbyllura në sirtarin që askush nuk mund ta di kodin për të deshifruar e hapur atë sirtar që ka brenda shpirtit të tij. Por në vëllimin poetik të titulluar ‘’Bardhësia e dritës’’, Dr. Phil. Xhavit Lipaj na sjell kujtime nga ai sirtar i shpirtit, që ne përmes vargjeve ta lexojmë brendësinë, t’i mësojmë rrugët e dhimbjes dhe dritën që ka përqafuar vetë autori. Disa penë-shkrues ndajnë shkrimin nga jeta e tyre e jetuar, por në shumë raste të jetuarit e tyre i gjejmë në vargjet e shkruara, nga vetë autori.
Nuk ndahet shpirti nga trupi sa të jem gjallë, por ndahet vetëm atëherë kur trupi vdes e shpirti ikë në përjetësi te Zoti i tij. Në vargjet te poezia e titulluar “Dhimbja”, autori Dr. Phil. Xhavit Lipaj nuk e sheh dhimbjen vetëm si një errësirë, por në ca raste edhe si një forcë e shpirtit. Si do të mund të forcohemi ne shpirtërisht, nëse nuk do të përjetonim dhimbje. Si do të dinim se ekziston dhimbja, nëse nuk do të përballeshim më të. Autori në vargje ligjëron:

“Por dhimbja nuk është vetëm errësirë
Ajo na mëson të ngrihemi sërish
Çdo plagë është një kujtim që rrjedh
Por në fund forca jonë lind nga dhimbja”

Nuk do të kishte kuptim që shkrimi im të mbyllet me vargjet kushtuar dhimbjes. Por në mes dhimbjes njeriu detyrohet të gjejë forcën, gjen forcë se nuk ka rrugë tjetër që mund ta ndjekë për ta larguar nga dhimbja. Autori Dr. Phil. Xhavit Lipaj në poezinë e titulluar “Fjalët e mia” na rikujton drejtësinë, lirinë dhe barazinë. Fjalët i quan themeltar i lirisë, mendimet si shkallë të ngritjes së vetëdijes shoqërore, për arsye të shëndosh të mendjes dhe dobi të shpirti. Por ne jemi dëshmitar në kohët që po jetojmë, fjalët kanë, marr një devijim, nuk përfillët etika as nga ata që janë të thirrur për ta respektuar atë. Por kurrë mos u dorëzo, lufto deri në frymën e fundit të jetës suaj! Këtë na e bën të ditur vetë autori, Dr. Phil. Xahvit Lipaj. Nëse lexojmë të gjitha vargjet e librave të tij, aty hasin copa të mëdha dhimbjesh, pjesë të përbuzjes, varre të hapur nga armiqtë dhe nga disa “miq” që autorit i dhanë thikë pas shpine natën dhe, i erdhën për t’i uruar shërim të plagëve ditën. Qëllimet e tua kurrë mos i varros, edhe nëse trupin ta gjakosin, varrin ta hapin, ti sa të jesh gjallë, të jesh udhëtar në këtë botë, përballu me sfida! Sfidat do të bëjnë një kalorës që do të kalosh edhe muret më të larta gjatë jetës suaj. Lisat që rrinë nën hijen e lisave tjerë, stuhia e parë i rrëzon për dhe. Lisat që i rrahë era (stuhia), rrënjët i kanë të zbuluara, por nuk rrëzohen në tokë. Autori në vargje ligjëron:

“Në këtë udhëtim
Të pafund të ekzistencës
Fjalët janë gurët themeltarë
Të së ardhmes së ndritur.

Ku çdo mendim është shkallë
Drejt arsyes së pastër
Dhe progresit të pandalshëm.”

Autori Dr. Phil. Xhavit Lipaj përherë është në kërkim të së vërtetës duke sulmuar gënjeshtrën. Dritën e sheh përditë, harresën e shuan, kujtesën e ngritë në piedestalin më të lartë të petkut të njeriut. Por nëpërmes vetmisë atakohet më puthjet e gruas që dashuron. Çelësin e lumturisë e ruan si një çelës që një ditë ta hap drynin e zemrës. Bota e tij është një botë me shumë ngjyra, por duke varrosur çdoherë ngjyrën e zezë, sikur kjo ngjyrë ia kujton errësirën e ditëve të rënda që ka jetuar dhe i ka përjetuar. Ka edhe disa sekrete që i mban në vete, por koha do ta gërryejë dhe do t‘i qes edhe ato në letër të bardhë. Nuk do t‘i mbart gjatë me vete. Ky vëllim poetik i titulluar “Bardhësia e dritës” i autorit Dr. Phil. Xhavit Lipaj është si një testament, i cili do të lë gjurmë tek të gjithë ata që do të lexojnë. Ky libër është me vlerë, aq sa ka dritë brenda tij. Ka pas shumë ditë të errëta dhe bukur të vështira. Kapakët e këtij libri të ndriçuar me dritë, po i mbyllin perdet e errëta dhe po, hapin dritën e fjalëve të shkruara mjeshtërisht nga autori Dr. Phil. Xhavit Lipaj.

Urime i nderuar për librin! Suksese dhe paqe, dritë... gjatë gjithë jetës suaj! Presim shumë nga ju, e duke na sjellë vëllime, të reja poetike! 

Dardani, 2024

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT