Tuesday, January 21, 2025
BallinaVitrina e libritNikolle Loka -A të mori rrjedha?..

Nikolle Loka -A të mori rrjedha?..

Si lindi rrjedha,
kush ta njoftoi ardhjen e saj,
si të mori me të mirë në prehër
e djela,
si iku e të la,
a thua të rrëmbeu parandjenja,
e të nxori te një breg,
te një va,
a të çoj në vise të reja,
ku zbret e zbret…
hijen ta djeg rrufeja,
kush e ndjeu, kush e pa!
Në të përpjeta,
kush të mbështeti,
kush të tërhoqi pas veti,
te një valë deti.
Nëpër ujëvara,
kush t’i hodhi sytë e të pa!
A të rrëmbeu jeta,
e në vende të shkreta,
të mori a të la!
Gjysma po, gjysma jo,
gjysma iu shtua detit,
e tjetra mbeti ndër dallgë,
por nuk iku larg,
deri te një breg,
te një va.

Për këtë zot që u bë njeri!

Malet tona vazhdojnë të rriten
dhe për pak qiellin do ta prekin,
do ta çojnë atje një gurë e pak dhe,
ku të betohet zoti:
për këtë gurë që mbaj në shpinë,
për këtë qiell, përzier me tokën!
Malet tona vazhdojnë të rriten,
deri sa mbi to vetë zoti të ulet,
pastaj do të zvogëlohen përsëri
dhe zoti do të zvogëlohet.
Atëherë njerëzit do të betohen:
Për këtë zot që e shoh me sy,
dhe do të shërohen.
Malet tona flasin me zotin,
e zëri i tij
jehonë na vjen në votër.
Ne betohemi në jehonën e tij:
Për këtë zot që na hyri në shtëpi,
për këtë zot që u bë njeri!

Harro që të jetosh gjatë!

Rrugën nga shkele
shpesh s’e mbajte mend,
koha ishte mjegull,
era fshin e fsheh,
ranë ca rreze drite
mbi shikimin tënd,
koha kalon shpejt
dhe të gënjen.
Vjen harresa
si ilaç për zemrën,
dhe pse mendjen
shpesh e fut në lak.
Harro pra dhe gëzimet,
që mos t’i kujtosh brengat!
Harro që të jetosh gjatë!

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT