Valixhen e kujtimeve, sot e hapa
Në thellësi të shpirtit, sa nostalgji,
Vite rinie, në dorë dot s’iu kapa,
Në avion jete, humbur në kaltërsi.
“Ku je rini?” me zë të lartë thërrita
E dëgjoi mali, por jehona e njëjtë,
Pyetjen time, e kish marrë enigma,
Koha turravrap, më tha:”mbaje mënd.”
I ruajta ato lule, me erë dashurie
Nën hije të lumturisë, aty të thara,
Vesuar lotë shpirti, ruajnë freskinë,
Shkoj t’i prek, humbin si në ëndrra.
Librin “jetë,” një për një e shfletova
Kapitujt e saj, shpirtin ç’ma ndezën,
Mes stuhive tua, me ty jetë rezistova,
Kohë rinie e mbetur, si refren kënge!
Ku je, rini? Pyeta, pyes, do pyes prapë?!
Ato vite të bukura, fshehur në kujtesë,
Shkrepur vetëtimë, mbetur viteve larg,
Ah moj rini! Lindur e tretur, nëpër vesë!.