Saturday, February 15, 2025
BallinaVitrina e libritVeshtrim kritik i poezisë E dashura iku të autorit Ruzhdi Gashi

Veshtrim kritik i poezisë E dashura iku të autorit Ruzhdi Gashi

Shkruan Anxhela Kosta

Poezia “E DASHURA IKU” flet për humbjen dhe ndjenjat të cilat, autori Ruzhdi Gashi i shoqëron dhe i vë në dukje gjatë gjithë vargëzimit. Lirika ka një atmosferë melankolike dhe pasqyron dhimbjen e largimit të së dashurës, por gjithashtu, në të njëjtën kohë, është edhe një reflektim mbi forcën që vetvetja gjen sërish pas humbjes. Dëshira për të rikthyer të djeshmen, atë që ka kaluar dikur, përshkruhet nëpërmjet kujtimeve dhe elementeve të natyrës, siç janë gjethet, hëna dhe ajri i ftohtë, të cilat gjithashtu vënë në pah ndjenjat e të munguarit dhe nostalgjisë.

E gjithë poezia vargëzon rrjedhshëm, e mbushur me simbole poetike që na mundësojnë ta ndiejmë dhimbjen e autorit dhe përpjekjen për të gjetur diçka nga kujtimet e të shkuarës.

Vetë titulli: “E dashura iku”, shpjegon esencën e poezisë, humbjen e papërshkrueshme, e cila mbetet e gjallë në kujtimet dhe ndjenjat e pastra.

Nëpërmjet figurave retorike, autori shpreh edhe forcën e brendshme që vjen pas humbjes së një njeriu që dashurojmë me shpirt.

Përdorimi i simboleve si “yjet e fikur” dhe “melodia e harruar” përforcon emocionin dhe përpjekjen për të kuptuar se çfarë ka mbetur pas dashurisë që iku.

Angela Kosta Drejtore Ekzekutive e revistës fizike MIRIADE, gazetare shkrimtare, poete, eseiste, redaktore, kritike letrare, botuese, promovuese

E dashura iku

Ike lehtë, si era mes gjetheve,
Si një ëndërr që tretet nën dritën e hënës.
Në sytë e mi mbetën hijet e të shkuarës,
Një gjurmë e largët, një kujtim që nuk shuhet.

Zëri yt ende jehon në zemrën time,
Si një melodi e largët, një këngë e harruar.
Çdo fjalë e jotja, një yll i fikur,
Në qiellin e shpirtit që të kërkon me mall.

E ndiej praninë tënde në çastet e heshtura,
Në ajrin e ftohtë, në kujtimet e fshehta.
Por dielli perëndon dhe nata vjen ngadalë,
Dhe ti mbetesh veç një ëndërr e largët, e rrallë.

Ndoshta humbja jote ishte bekim në maskë,
Një dhimbje që më mësoi të jem më i fortë.
Por prapë të kërkoj në çdo fytyrë, çdo hije,
Një dashuri që iku, por mbetet e gjallë si kujtim i qetë.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT