Ishte afruar nga pak te nëntëdhjetat
Dimrat e jetës e kishin thinjur dhe plak,
Në sëndukun e lashtë ku mbante teshat
Ato të vdekjes i kishte shumë merak.
I nxirrte, i ajroste, i paloste heshtaz e lehtë
Me kujdes i vendoste symenduar në arkë,
Me bar mole i kish mbajtur në jetë
Aromën ua ruante me sapun e arrë.
Nuk e mësova sa vite i fshihte ato rroba
Mbase në gjithë vitet e jetën që jetonte,
Ah, falmë gjyshja ime, se vonë e kuptova
Se për ty ishin më të shtrenjtat e kësaj bote.
Në cilin Muze t’i vë reliket e tua, o gjyshe?
Dua t’i zgjoj rrudhat e thella si brazda në ballë,
Shpirti yt ështe bërë flutur prej kaq e kaq vitesh
Ndërtuar ka çerdhen ku zgjohet një lulnajë!