Thursday, April 24, 2025
BallinaKulturëKumrie Avdyl Shala-TË JETOSH PËR VETEN TËNDE ËSHTË HYJNORE

Kumrie Avdyl Shala-TË JETOSH PËR VETEN TËNDE ËSHTË HYJNORE

Të jetosh për veten është forca më e madhe që një njeri mund të ketë. Është guxim, është liri, është dinjitet. Vetëm ata që kanë shpirt të pathyeshëm arrijnë ta bëjnë këtë.

Sa të cekët janë disa njerëz që përpiqen të të tërheqin në llumin e tyre, sepse ata vetë janë të zhytur deri në fyt në jetë të palumtura! Ata mbajnë leksione për moralin, për jetën, për martesën—po sikur të ishin të përsosur vetë, ndoshta këshillat e tyre do kishin vlerë!

Po ku janë ata me martesat e tyre të “lumtura”? Ata që për hir të opinionit martohen, lidhin kurora dhe shtojnë fisin, por çdo natë jetojnë në dhunë, përçmim dhe vuajtje? Ata që, për të mos pranuar dështimin, sakrifikojnë shpirtin e tyre dhe rrisin fëmijë të traumatizuar?

Si mund të jenë të denjë për këshillë njerëz që nuk kanë guxim të dalin nga ferri i tyre? Ata që punojnë deri në rraskapitje, vetëm që të harrojnë plagët e shpirtit? Ata që çdo ditë bërtasin, urrejnë, shtiren, ndërsa sytë e tyre zbulojnë boshllëkun e një jete të humbur?

E pastaj, çfarë pret shoqëria nga fëmijët që rriten mes britmave dhe dhunës? Çfarë mund të presim nga breza që lindin nga detyrimi dhe jo nga dashuria? Nga martesa që u bë vetëm “për të mos mbetur vetëm”? A nuk janë këta ata që nesër bëhen kriminelë, vrasës të babait, të nënës, të motrës, të vëllait? Këto janë pasojat e një martese të palumtur—të një shoqërie që refuzon të kuptojë se të jesh vetëm është më mirë se të jetosh në mjerim.

Në këtë shoqëri ende mbizotëron mentaliteti se “njeriu duhet të martohet”—qoftë edhe pa dashuri, qoftë edhe në vuajtje. Sepse, sipas tyre, një njeri i pamartuar nuk është “i plotë”. Po a është njeri i plotë ai që jeton në skllavëri emocionale? A është i lumtur ai që zgjohet çdo mëngjes në një shtrat ku nuk ka asgjë përveç tradhtisë?

Jo!

Nuk ka asgjë hyjnore në një martesë të rreme. Nuk ka asgjë të shenjtë në një jetë të ngritur mbi mashtrim. Hyjnore është të jetosh i lirë, i vërtetë, pa dhunë, pa tradhti, pa dyfytyrësi. Vetëm atëherë ke vlerë si njeri!

Tradhtia nuk është vetëm akti, por edhe mendimi, që në vetvete është mëkat. Dhe sa martesa të rreme ka, ku burri dhe gruaja bëjnë jetë paralele? Ku ditën janë “çift perfekt”, e natën tradhtojnë, qoftë fizikisht, qoftë në rrjetet sociale? A është kjo jetë e ndershme? A është kjo një familje e shëndetshme?

Të jetosh me gënjeshtra është mëkat.

Të tradhtosh është poshtërsi.

Të martohesh për sy e faqe është vetëvrasje shpirtërore.

Lumturia nuk është një martesë e ngritur mbi fasadë. Lumturia është të jesh i drejtë, i sinqertë, të mos lëndosh, të mos tradhtosh, të mos shkatërrosh shpirtin e dikujt tjetër për të ruajtur një iluzion.

Prandaj, jetoni për veten tuaj!

Jo për opinionin, jo për shoqërinë, jo për normat e vjetra.

Sepse të jetosh për veten është hyjnore!

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT