Thursday, April 24, 2025
BallinaVitrina e libritCikël poetik me vargjet e poetit Fatmir Kelmendi

Cikël poetik me vargjet e poetit Fatmir Kelmendi

DREJTË LIRISË

Ishte koha më e mirë,
Ishte koha më e vështirë,
Kur nata kalohej në mal,
Dhe shpresa s’kishte asnjë fjalë.

Mbi supet e mi, armët e luftës,
Mbi zemrën time, betimi i UÇK-së,
Një flamur kuq e zi, një ëndërr e vjetër,
Një atdhe që s’duhej i robëruar të mbetej.

Dimri më gjeti me pushkë në dorë,
Pranvera erdhi mes gjakut e luleve,
Shokët u shuan si flakë mbi dhe,
Por zëri i tyre jehon ende.

Ishte koha më e mirë,
Ishte koha më e vështirë,
Por ne ecëm drejt lirisë,
Me plagë në trup, por jo në shpirt.

Ela e Gjallë

Kushtuar masakrës së Poklekut

Në errësirën e një dhome të mbyllur,
ku zjarri përpin ëndrrat me flakë,
Ela mbeti si hije mes vdekjes,
me një plagë në trup, me shpirtin gjak.

Bombat shpërthyen si britma të egra,
zhurma u ngrit mbi qiellin e zi,
e brenda asaj dhome të vogël,
u dogjën disa familje, u vranë shumë fëmijë.

Vëllezër, motra, nënë ,kushërinjtë
u shkrinë në hirin e kohës mizore,
por Ela u ngrit, e gjallë mes hirit,
me shpirtin e thyer, me zemrën që vlonte.

Në heshtje e mbyti dhimbjen e saj,
me kujtime që i marrin fuqinë,
me ëndrrën e vjetër, me zërin e Rexhës,
që dikur u betua për lirinë.

Sot, rrugët e huaja i mbajnë hapat,
sytë i ka kthyer nga dheu i saj,
Kosova hesht, nuk njeh heroinën,
ajo që shpëtoi nga vdekja me vaj.

Por historia nuk vdes në heshtje,
në zemrat e dheut rri e skalitur,
Ela e gjallë, dëshmi e një plage,
që s’duhet kurrë të harrohet as të venitet!

Lavdi të rënëve për liri!

KTHIMI
(Në Balincë të Malishevës)

Do të kthehem një ditë,
edhe pse era ka fshirë gjurmët
dhe hija e pragut nuk më njeh më.

Do të gjej pluhurin mbi gurët e ftohtë,
ku dikur mbështesja ëndrrat e fëmijërisë,
dhe era do të më flasë me zërin e nënës
nëpër gjethet e kalbura të lisit të vjetër.

Qeni nuk do të jetë,
por hija e tij do të vrapojë mes hijeve,
dhe unë do ta ndjej lehtë lëvizjen e bishtit,
aty ku dikur ishte dera.

Mos më pyet nëse kam ku të kthehem.
Unë kthehem te kujtimet,
te fryma e gurëve,
te zërat që ende banojnë në ajër.

AMANETI I BABËS

Nëse një ditë s’do jem më këtu,
E zëri im tretet në mjegull ,
Mos më qani, mos qani për mua,
Po shikoni Shqipërinë – a ka lulëzuar?

A i ka djemtë me besë e me fjalë?
A i ka vajzat si flakë mbi valë?
A i ka malet si dikur krenare,
A i ka detet ende shqiptare?

Nëse ndonjë engjëll më sjell një lajm,
Do e pres me mall, do e pres pa vaj,
Veç le të jetë një fjalë e mirë,
Se Atdheu ynë s’ka mbet në errësirë.

E kur të ndesh Naimin atje,
Do i them: “Poeti ynë, a e sheh?”
A është gjuha e bekuar gjallë,
A i këndojnë këngët me mall?

Fishta do më pyesë me dhimbje,
Fanoli me sy që shndritin hije,
Çfarë t’u them kur shpirti më vlon,
Kur s’di a flasim shqip më?

Por unë dua të shkoj me shpresë,
Se një brez i ri me zemër e besë,
Do e bëjë këtë tokë të ndritur,
Me flamurin tonë sa më lartë të ngritur.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT