Thursday, April 24, 2025
BallinaVitrina e libritLlesh Ndoj -Për çfarë?!

Llesh Ndoj -Për çfarë?!

Heu bre! Veten s’e njoh,
ku jam mirë s’po e di,
veshët ç’mé dëgjojnë,
e çfarë shoh me sy…
N’vendin e shqiponjave
mbushur me lavdi,
kush mund t’më thotë,
çfarë po bën vaki?!

Bilbilat janë fshehur
qyqet këndojnë n’meje,
dhelpërat zgërdhihen
parinë po e kërkojnë,
t’urtit i mbulon heshtja
n’hijet vet mrizojnë,
çakajt lart e më lart
punët na i drejtojnë!

Mosni bre, pash Zotin!
Deri kur kështu,
n’këtë vend t’bekuar
horrllëku do t’mbretërojë?
Urtia larg migruar,
për njëri-tjetrin, ujqër
sillemi ne për ditë.
Vallë ç’na ka mallkuar?!

Ka me ardhur dita,
e largët s’është ajo!
Prej vetes t’na vij marre
për çfarë i kemi bërë
këtij trualli të rrallë…
Nënë të gjithë e thërrasim
e me shue epshet e botës
n’semafore e përplasim!

Bilbilat një ditë do kthehen
dhe këngës do t’ia thonë,
nipat krenar do t’ndjehen
vendin me jetë ta bekojnë,
por ne, ky brez i mallkuar,
që kështu e katandisëm,
vorret, bre vorret,
vallë a do t’na pranojnë?!

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT