Shkruan Demir Reshiti
NJË LIBËR INTERESANT PËR TË GJITHA MOSHAT
Vazhdës së librave me poezi, nga krijuesi Ismet Lecaj, iu shtua edhe libri me titull simbolik “Fabula n’partiturë” i cili është si një kurorëzim i konceptimit të disa librave letrarë ku autori si personazhe lirike e ka botën shtazore.
Poezitë e këtij vëllimi do t’i ndanim në tri grupime.
Në grupimin e parë, autori, paraqet ngjarje, veprime e ndodhi të personazheve të caktuara, të moshës së rritur e të moshës fëminore. Janë disa ngjarje që kanë mbetur në kujtesën e autorit dhe e kanë provokuar kërshërinë e tij, duke bërë që të mos qëndrojë indiferent ndaj tyre, prandaj edhe është munduar që t’i hedh në letër në formë vargjesh, në poezi apo edhe në poemë, siç është rasti me poemën “Fabula në partiturë”, ku autori përmes fuqisë së artit, paraqet në mënyrë të sintetizuar disa nga veprimet e heroit lirik të poemës, veprimtarit Emurllah Halimit. Autori përshkruan me mall e dhembje disa nga ngjarjet e veprimtarisë së këtij personazhi.
Për shembull:
Ç’më vajti mendja në Pulë,
Kur vëllait në burg i shkuam,
Syri saora m’u qull,
Lotët çurg më shkuan…
Apo:
N’Shkollën e Lartë Pedagogjike
UDB-ja m’futi n’listë të zezë,
Familjen ma quajti armike
Por liria Mbretëreshë me kezë…
Apo:
Kur n’Kosovë liria erdhi,
T’këqijat prapa shpine i qita,
Rrezet e ngrohta në mua i derdhi
Duarhapur n’shpirt i prita
Autori këtë libër ia dedikon Emurllah Halimit, të cilin e përveç në poemë, e ka personazh edhe në disa poezi tjera. Emocionues është përshkrimi që autori ua bën çasteve të fundit të jetës së heroit të tij lirik, kur thotë:
Pse moj vjeshtë u pakësove,
Pse e korre gjithë atë verë
Sot mërzinë sa shumë ma shtove
Do e shoh vallë edhe njëherë?!
Apo, momentin kur e përshkruan pak para vdekjes duke i rënë kavallit:
Dhe ky fyell e kavall
Me mbajnë iso, terapi,
Zë i tyre më mban gjallë,
Sa më kthejnë në fëmijëri.
Padyshim janë momente emocionale edhe për lexuesin e rëndomtë, e jo më për autorin që e ka njohur heroin lirik, prandaj s’ka se si mos të shpreh dhembjen përmes fuqisë së artit.
Heroi i poemës e ka dashur jetën, ka sakrifikuar për jetën, duke u angazhuar në shumë aspekte për mbijetesën e vet dhe të familjes së tij. Ai nuk i është frikësuar vdekjes, prandaj autori bën rrëfimin e personazhit të tij për momentet e jetës.
Edhe në poezitë ku personazhe janë Flori, Era, Dua, Diari, Marigona, gjyshi, etj., autori, përshkruan ngjarje interesante, duke dhënë përmes tyre edhe mesazhe universale. Këtë paraqitje të lojës fëmijërore e bën përmes artit, si te poezia “Kuajt e Florit”, ku autori shkruan:
U jepte ujë, u jepte bar,
Rreth e rrotull me ta sillej,
Kënaqej e s’kishte të ndalë,
Me lodrat mbështillej.
Apo, paraqitjen e pritjes fëminore në aeroport (te poezia “Pritja n’aeroport”), poeti e portretizon gjendjen shpirtërore të personazheve, duke paraqitur gëzimin dhe padurimin, që minutat nuk u ecin, sipas dëshirës së tyre:
Herë pupas, herë dupas
Avioni s’po arrin,
Këmbë e duar dridhen thupras,
Nostalgjia ngre padinë…
Hapa t’vegjël kilometër,
Përreth dajës n’përqafim,
Dashuria n’milimetër,
Matet sot në atë takim!
Përshkrimin e personazhit në shkollën e muzikës, autori e paraqet me elementet e dashurisë fëmijërore:
Edhe në kursin e muzikës,
Era ja shkel praktikës,
N’gamë të notave hip e zbret,
Kombinimet kanë lezet….
Apo, atmosfera ngrohtësie fëminore te poezia “Era si vera”:
Koha e ndarjes kur afron
Bashkë me babin në shkollë shkon,
Sy i bukur kokrra e rrushit
S’lë pa ja dhënë një puc babushit
Rreshti i poezive me këtë tematikë është më i gjatë, ku vlen të veçohen poezitë: Humbja e Florit; Urimi i Erës; Mjegulla e bariu; Peshkatari; Gimi dhe ëndrrat; Berri i dasmës; Bahri Qehaja; Era hyri ndër shtjerra; Nusja; N’konak t’Qehasë; Tre akrepat e orës (ku fenomenet shoqërore i përshkruan mjeshtërisht në mënyrë artistike); etj.
Në grupimin e dytë radhiten poezi që dallohen për qasjen që autori ua bën fenomeneve të caktuara, qofshin pozitive apo negative, pastaj ndodhi të ndryshme, të cilat autori i përjetëson përmes vargjeve edhe me nuance humori, duke dhënë edhe mesazhe konkrete për lexuesin. Kështu për shembull te poezia “Qeni e kali” autori përshkruan momentin kur qeni fle afër sanës së barit, e kali do të shkoj të hajë bar:
-I ngrënmi dreqit o qen,
Vetë se ha, mua m’pudit,
Kot ngrahoshësh Murgjen,
Kështu pritën komshitë?!
Autori përshkruan edhe elemente komike, të prapësive fëmijërore kur ndonjëherë janë ndëshkuar nga prindërit, si p. sh. te poezia “Qeshja dhe qarja”, momenti kur babai, heq rripin e pantallonave për ta ndëshkuar gabimin e fëmijës, autori e paraqet artistikisht me elemente komike:
Nga rëniet sa shumë qaja
Por dhe qeshja aty për aty
Pantallonat atij i binin nga rrahja,
Pse mos t’qeshja me lot në sy?!
Në vazhdën e këtyre temave do të përmendnim edhe disa tituj të poezive të tilla si: Disiplina e qenve; Peshku dhe ferterja; Dëshira për bagëtinë (bën thirrje deri në klithmë rinisë, që t’i përvishën punës dhe mos të marrin rrugën e kurbetit); Bifurkacioni partiak (paraqet njerëzit që hanë me shumë lugë); Çizmja e çorapja; Rivaliteti; Dashi në janxhik: Qeraxhiu gomar; Miushët; U mbyt ujku me kavall; Ujku dhe galushja; Dhelpra ndal ujin; Dhelpra thekrën ndan me bisht; Zhuja i bacës; etj.
Në grupimin e tretë, do të përmendnim gjithsesi edhe vargëzimin e poetit, që në një pjesë të konsiderueshme të librit, personazhet i merr nga bota shtazore. Autori përmes fuqisë artistike sikur i bën të flasin mes vete, për të shprehur hallet e brengat e veta, që ka secila nga këto kafshë, që jetojnë në këtë botë jallane. Personazhet e botës shtazore, herë lavdërohen, herë kërcënohen, herë luten, herë frikësohen…por që të gjitha e duan jetën, në mënyrën e tyre.
Dhe jo vetëm kaq! Por përmes sjelljeve, veprimeve, dialogëve, grindjeve të tyre, autori përçon mesazh te bota njerëzore, duke i dhënë kështu kuptim funksional për njeriun, për t’i rishikuar e korrigjuar sjelljet e tij në shoqëri.
Në këtë grup të poezive vlen të veçohen poezitë: Grerëzat e dhija; Skifteri; Morri e këpusha; Bretkosa dhe rosa; Lepurushi e gomari; Rrenat e gjelit; Dordolecët dhe dhelpra; Përmbi Billushë; Arusha dhe ariu; Lepuroshi musteqoshi; Ujku e qengji; etj.
Në këtë libër autori përdor edhe fjalë të rralla të Opojës, si: pudit, virrma, rrebe, etj, me ç’rast ai e pasuron leksikun e përdorur në ligjërim poetik.
Ky libër nuk i takon vetëm një moshe apo brezi të caktuar, ndonëse në veçanti i dedikohet brezit të ri, por, me temat që trajton autori, me mënyrën e qasjes ndaj tyre, s’ka se si mos tu pëlqejë lexuesve të të gjitha moshave. Poezitë i bën tërheqëse edhe muzikalitetin që përdor autori pothuajse në secilin varg.
Vlen të theksohet se emri i Ismet Lecajt, është i njohur jo vetëm në trevën prej nga vjen, por edhe gjithandej në hapësirat shqiptare, përmes krijimeve të tij dhe pjesëmarrjes në aktivitete të ndryshme letrare. Para këtij libri, Ismeti pos në sferën gjuhësore që ka botuar disa libra shkencorë, si dhe në atë etnokulturore, ku ka botuar librin me titull “Kërkime albanologjike në trevat e Opojës e Gorës”, Në fushën e letërsisë ai ka botuar disa vëllime poetike si: “Verdhomë bote”, “Kur qeshen vajzat”, “Histori në sa malësi”, “Lulekurorë”, “Te dy peng në deng” (për te rritur), etj, si dhe disa libra për fëmijë si: “Gojë më gojë përralla n’Opojë”, “Troja e Arti sikur mjalti” etj. Pastaj ka shkruar e botuar disa libra me sentenca poetike në formë gjë e gjëzash etj.
Demir Reshiti,
fillimpranverë 2025, Prishtinë