Në një mëngjes pa emër,
Zgjova shpirtin,
Si zogjtë që ikin nga stuhia, pa kthim.
Në duar mbaja një lulezemër,
Të fundit dëshmi
Se jeta është vetëm një premtim i njomë
E zbehur nga vdekja.
Kam parë Perënditë duke qarë
Nën hije lisash,
Dhe njeriun, të vetmin zot
Që nuk di të falë,
Tek e gërryen kohën me thonj
Si një i burgosur
Që s’e di nëse jashtë
Ka dritë a humnerë!
O jetë…
Dhe ti e bukura vdekje që ecën ngadalë,
Që i jep kuptim harresës,
Plagës, dhimbjes dhe dashurisë.
Ti më dhe heshtjen për të dëgjuar veten
Në rrëfimet që s’i kam treguar askujt
As edhe Zotit.
Në çdo thërrime balte, unë lexova një lutje,
E shkruar jo nga engjëjt, por nga era.
Dhe e kuptova:
- Jeta s’është për t’u kuptuar!
Është për t’u ndjerë,
Si drita kur thyhet në ujë.
Ndoshta,
Nuk kam lindur për lavdi,
As për të qenë e shpëtuar.
Por në këtë rrugë prej terri dhe zjarri,
Kam dashur fort,
Kam vuajtur thellë,
Kam jetuar,
Dhe kjo mjafton
Për të qenë e përjetshme!