KËTU
Këtu…mes njerëzve…zogjve
rrëzohem nga qiejt e tu,
nën rryma yjesh
mbufatur prej lodhjeve
.
Një velë e grisur ka mbetur
në një breg të përhimtë
mes detit e tokës,
ku ankorohen lundrimet,
që kurrë s’e arritën fundin e botës.
.
Ngrihem dhe ngas mes atoleve
për të kërkuar gurin magjik të diellit.
Lutem mbi shkëmbinjtë koralorë,
si në natën e Krijimit.
Ti kalon nëpër mjegull,
në çastin kur gjithçka
ka mbaruar.
Si një pendim bojëhiri,
në plagët e mia vizatuar.
BLERIMET SHIHEN NË UJËRA
Blerimet shihen në ujëra
të shfytyruar në fytyrë
nga ankthet.
Rrokullisen
plot elegancë e hir,
si re meduzash
në ajër.
Aty mes pluhurash
rend shpirti i njeriut,
mrekulli spektakolare,
hipokrite,
kruspullosur në hije kaktusesh.
Ku mund të ketë shkuar jeta e dikurshme?
Asnjë mbishkrim i hershëm.
Përjetësisht kërkojmë,
na kërkojnë
njerëzit e djeshëm.
IKIM…
Ikim, duke mbajtur mes grushtit
qiellin dhe zogjtë.
Sozitë e muzgjeve
vallëzojnë,
me kafkën e hënës në duar.
Frymëmarrje të pa çelura
yjesh të zinj të dritës,
në dhimbje guri lëmuar.
Bota fermentohet në ajër
si një dënesë.
Ende një shkëndijëz drite na trazon.
Jemi një rastësi e qënies sonë!
LIRIKË MAJI
Një vetullz qielli në dritare
Sjell stinën e florinjtë!
Te buza jote mbledh nektar.
Kaçubat hapin gjinjtë.
Mbi trupin tënd, në degë ere
Natyra është stolisur
Do vij të rri si zog pranvere
Në pemën e braktisur…
NË KUJTIM TË PRINDËRVE
Diku mbarojnë shtegtimet njerëzore
Mes britmave të detit
Në hidhtësinë e honeve.
Dhe hëna përthyhet përflakur mbi retë
Ylberët bien pas kodrës së blertë
Është jetësia që mbyllet në një jetë.
Gjithçka pastaj shndërrohet në limfë
Që mbështjell pa kuptuar qënien tonë
Me një vazo lulesh në parvazin e kujtimit.