Të gjithë e pranojmë se sot ka një krizë në menaxhimin e artit, të prurjeve kulturore, artistike e letrare. Duket sikur arroganca e pushteteve dhe ekspansioni digjital i ka nxjerrë këto zeje jashtë “kontekstit”, duke i mbushur me paragjykime e nënvlerësime. Por krijuesit mbeten stoikë dhe nuk i japin llogari askujt, veç vetes së tyre. Mirëpo, historikisht, larmia kulturore, artistike, letrare, është gjendur përballë “gjyqit të vlerave”, ose më saktë, gjyqit të larmisë. Dikush duhet t’i japë krijimtarisë legjitimitetin, që talenti të mos shuhet si “mëkati i zanafillës”. Për shumë autorë të shkruarit është bërë tashmë një “sëmundje”, por edhe një lëngatë ligështuese, kur shohin mospërfilljen dhe indiferentizmin e shtetit dhe të opinionit publik në tërësi. Por dalldia krijuese nuk resht dhe nuk ka për të reshtur. Me pak humor, do të shprehesha se ne do të shpalosim “gjeninë” e popullit që na ka lindur. Në mungesë të kritikës zyrtyare, shpesh ne krijuesit shkruajmë dhe komentojmë në rrjetet sociale krijimet e njëri-tjetrit. Kjo padyshim është nxitëse, frymëzuese dhe, si të thuash, syri i publikut është njëlloj redaktori virtual. Por kjo nuk mjafton. Prurjet e shumta letrare, që kanë vërshuar sidomos dekadat e fundit, kanë nevojë jo vetëm për një organizim dhe institucionalizim, por edhe për një filtrim vlerash dhe kontributesh reale, përballë falsiteteve dhe mediokriteteve.
Roli i mediave në këtë drejtim është zbehur mjaft, jo vetëm për faktin se një pjesë e tyre janë mbyllur, por edhe se nuk e kanë parë asnjëherë letërsinë si pjesë të kulturës kombëtare. Kam drejtuar për gati 15 vjet gazetën ”Ballkan” ku përpiqeshim të mos mungonin faqet letrare, brenda mundësive që të ofron një gazetë e përditshme. Në një rubrikë të caktuar publikoheshin krijime bashkëkohore, nga të gjitha zhanret, përfshi edhe përkthime profesionale nga autorë të huaj. Shumë lexues e blinin gazetën vetëm për këtë rubrikë. Më vjen mirë që edhe sot ka ndonjë gazetë (nga të paktat që kanë mbetur) që publikon faqe letrare periodike. Por parapëseprapë kjo nuk ka mjaftuar. Mendoj se boshllëkun e madh të krijuar e kanë mbushur promovues të mirënjohur, shkrimtarë e studiues të mirëfilltë, që kanë krijuar dhe drejtojnë media on line (ose të printuara) në gjithë hapësirat shqiptare dhe në diasporë. Ata përfaqësojnë, pa dyshim, një dukuri intelektuale në kulturën tonë mbarkombëtare. Gjatë këtij viti, kur unë fillova të riaktivizohem në fushën e krijimtarinë poetike, pas gati 37 vitesh heshtjeje dhe asketizmi, pa u kërkuar ndihmë asnjëherë, ata janë bërë mbështetja ime mediatike dhe promovuese. Me thënë të drejtën jam befesur nga përkujdesja e tyre. Kur fillova të publikoj poezitë nuk kisha ndonjë plan “marketingu” dhe çdo gjë ia besova fatit dhe rastësisë.
Po e filloj me mikun dhe kolegun tim të fakultetit Mujo Buçpapa, poet dhe publicist i njohur, i cili drejton gazetën e printuar kombëtare “Nacional”. Kjo gazetë e përjavshme ka si mision forcimin e vetëdijes kombëtare, edhe përmes artit dhe letërsisë. Në këtë gazetë vërehet një ankth intelektual, në thelb ekzistencial. Ajo, jo vetëm ndërlidh bashkësitë kulturore, por është një sinkronizim i plleshëm i përvojave botërore me ato shqiptare, duke stimuluar krijimtarinë kombëtare dhe zërat e rinj. Erudicioni, hulumtumet studimore dhe enciklopedizmi i Gëzim Llojdisë është një temë më vete. Me Gëzimin, ndonëse nuk jemi takuar ndonjëherë, më lidh një bashkëpunim i gjatë. Ai shkruante shumë dhe botonte te gazeta “Ballkan”, pothuajse çdo ditë. Ka qenë dhe është një kurioz i madh, i shqetësuar, një “kalorës” i albanologjisë dhe arkeologjisë, që është zhytur në hulumtime dhe ka një aktivitet shkrimor gati 40 vjeçar. Ai shkruan mjaft bukur, jo vetëm artikuj të ndryshëm dhe ese, por edhe poezi dhe prozë. “Gazeta Destinacioni”, edituar prej tij, konstruktuar me koncepte estetike të qarta, ku “zbarkojnë” shumë krijues, është një medium me peshë në hapësirën mediatike shqiptare.
Iljaz Osmani, editor i revistës “Vlera” në Tetovë, është një tjetër mik i rrallë, me të cilën, edhe pse nuk jam takuar, më duket sikur e pimë kafen bashkë çdo të dielë, kur ai publikon në faqet e revistës poezitë e mia. Është një ritual që e bën pa pasur nevojë të marrë leje. Ai është edhe vetë një poet i njohur dhe shkrimtar dhe na puqen shijet për letërsinë në mënyrë të çuditshme. Zoti Osmani i do krijuesit e vërtetë dhe entusiazmohet kur sheh krijime me vlerë dhe opinione mbi krijuesit me vlera. Kështu më ndodhi para pak kohësh kur i dërgova një recension mbi poezinë e poetit origjinal, me profil të veçantë, Nezir Sefaj.
Të gjithë, besoj, e njihni “Revistën Letrare”, që botohet ne Zvicër dhe vjen edhe në Tiranë. Në këtë revistë ndihet jo vetëm profesionalizmi, por edhe altruizmi ndaj talenteve. Kryeredaktor i saj është një miku im i hershëm, poet dhe shkrimtar i spikatur, Arbër Ahmetaj. Njeri me humor dhe shumë kreativ. Kemi punuar bashkë si gazetarë në fillimet e pluralizmit. Arbrin e takova rastësisht pas 30 vjetësh, në shtator 2024. Më kërkoi një cikël me poezi për revistën. U hutova dhe i thashë me shaka: “do më rikthesh te dashuria e parë?”. Kaq u desh të hyja sërish në “valle”, se m’u deshën disa ditë t’i përgatisja.
Nuk mund të rri pa përmendur edhe tre miq të tjerë, krijues dhe promovues të njohur: Artur Nura, Ruzhdi Gashi dhe Çerçiz Loloçi. Turi, sic e dini, drejton me shumë përkushtim e profesionalizëm gazetën italo-shqiptare “Perqasje. com”. Misioni i tij është ndërthurja dhe harmonizimi i kulturave respektive, asaj shqiptare dhe italiane. Nuk e di pse më kujton iluministin Pjetër Mazreku të shek. XVII, i cili e kuptonte se kultura është vetëdije e kombit.
Poeti dhe eseisti i shkëlqyer Ruzhdi Gashi drejton gazetën “Ciceroni” dhe portalin Quick Wrld News në Kosovë, një media që thekson fisnikërinë e jetës nëpërmjet mendimit. Ruzhdiu ështëpsikolog, publicist dhe shkrimtar. Kredon e vet e shfaq edhe nëpërmjet poezive dhe eseve. Shkruan pothuajse çdo ditë. Promovon pa u ndalur. Revistat letrare, kulturore e artistike “Orfeu.al” dhe “Orfeu press” drejtohen nga Dibran Fylli, poet, shkrimtar, skenarist e regjisor i njohur. Dibrani, në bashkëpunim edhe me stafin ku bën pjesë edhe promovuesja e njohur Angela Kosta, promovon poetë nga të gjitha hapësirat shqiptare, nga diaspora dhe bota. Jo vetëm në faqet e revistës, por edhe në antologji të ndryshme.
Çerciz Loloçi, miku dhe kolegu im i fakultetit, shkrimtar i njohur, i dimensionuar prej vitesh në fushën e medias, ka shumë vite që drejton “Alb-Spirit”, një media me disponim letrar dhe kombëtar, ku gjen mjaf shkrime edhe për çështjen kombëtare. Edhe në portalin e tij gjen një dashamirësi të pafund për krijuesit, pa dallim.
Të gjithë këta botues sot janë bërë miqtë e mi të pazëvëndësueshëm. Miqtë e gjithë krijuesve, ku ata besojnë se ka vlera.
Ata përfaqësojnë tipin e intelektualit kombëtar. Puna e tyre si editorë dhe mentorë të krijuesve, të rinj apo të vjetër, është e pafund. Ndoshta ata, si dhe shumë të tjerë me të cilët nuk kam pasur raste bashkëpunimi, janë një arsye emblematike e mbijetesës së artit dhe letërsisë në kushtet shqiptare.