Kombëtarja e Kosovës ka shënuar një fitore të thellë ndaj Armenisë në miqësoren e zhvilluar të premten mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, duke triumfuar me rezultat 5:2.
Ndeshja ka nisur me vështirësi për “Dardanët”. Armenia ka kaluar herët në epërsi, në minutën e tetë, kur Tiknizyan ka shënuar pas një asisti nga Sevikyan dhe pas një gabimi të portierit Saipi.
Megjithatë, reagimi i Kosovës nuk ka vonuar.
Në minutën e njëzet e dytë, Dellova e ka barazuar rezultatin me një supergol nga distanca, por vetëm shtatë minuta më vonë, Spertsyan ka realizuar nga një goditje e lirë për ta rikthyer Armeninë në epërsi me rezultatin 2:1.

Kosova e ka rritur ritmin në pjesën e dytë dhe e ka rikthyer baraspeshën me anë të Mërgim Vojvodës nga penalltia në minutën e gjashtëdhjetë e një.
Epërsinë e ka siguruar mesfushori Lindon Emerllahu në minutën e shtatëdhjetë e një me një goditje precize.
Në skenë më pas ka dalur sulmuesi në formë Albion Rrahmani, i cili ka realizuar dy gola të shpejtë, duke e vulosur rezultatin përfundimtar në 5:2 në favor të Kosovës.
Tash Kosova më 9 qershor do ta ketë edhe një miqësore tjetër me Komoret./RTK.live/