Nuk e di nëse sonte do të shkruaj.
Nuk di nga t’ia nis.
Ndihem si një vjeshtë e lënduar.
Hija ime, më e gjatë se unë,
shtrihet mbi dysheme si një viktimë,
e mbuluar me jorganin e heshtjes.
Ka një shpresë të çuditshme në atë heshtje,
si një dorë që e ngre hijen ngadalë,
e më bën të humbas gjurmën e arsyes.
Si një gjahtar që mashtrohet prej gjahut,
dhe, në zemërim, qëllon në ajër,
vetëm për t’i dëshmuar vetes një fitore të rreme.