Në Mirditë, ku më ka lindur nëna,
Ku jam rritur me orë e zanë,
Ku ndër kulla, në odë e prag,
Ah, kurrë baroti jo s’u lag.
Ku po lindin djemtë si drita,
Mal mbi mal e quajnë Mirdita.
Prej Munellës e deri në Velë,
Në mal të Kunorës ku lind ai diell.
Deri në mal të Shejtit mbi Orosh,
Këtu burrnia kurrë nuk u sos.
E këtu fjala mbeti fjalë,
Këtu ndër burra, s’u ngrit sundar.
S’u ndal kurrë kamba e të huajit,
Asnjë pëllëmbë nuk ia falëm kujt.
Se kjo tokë me lavdi e gjak,
Gjithë të huajve ua ka dhënë hak.
Atje në kodër, bash në Geziq,
E vendosën në portë në kish.
E thanë fjalën: “Duam komb,
Emra shenjtnish: Gjergj e Gjon.”
S’duam turk e s’duem shkaj,
S’duam nanat me i pa tue qa.
S’duam djemtë me na i toritë,
Mos e prekni emrin “Mirditë”!
Se edhe toka ndizet flakë,
Edhe nuset me duvak,
Edhe fëmijët nëpër djepa
Marrin pushkën, dalin ndër shkrepa.
Ndoshta buka mund të mungojë,
Por baroti s’mund të shterrojë.
Se kur brofin shqipet e malit,
Nuk ndalet pika e djalit.
Kur plumbi në ball e “Merr!”,
Si del shpirti – menjëherë!
Zëri i tij jehon ndër gurë:
“Aman, shqipe, mbaje flamur!”
Merre ti, shqipe, me nder,
E valvite të lirë në qiell.
Ani se është larë me gjak,
Se të parët zgjohen prapë.
Ani, nënë, se unë u vrava,
E këta gurë me gjakun i lava.
Amanet: mos u përkul,
Mos ia lë këtë tokë askujt!
Ndoshta magjia do zërë myk,
Por baroti s’ka me u ndryshk.
E merr shqipja atë flamur,
Fëshfërin thirrje ndër gur.
I përplas krenare ato flatra,
U bën thirrje gurëve ndër vatra.
Valvite të lirë në qiell flamur,
Se merr flakë çdo shkamb e gur!
Nënës thoni: “Mos më qaj,
Veç pak plagët të mi laj.”
Vëllezër, mos shihni plagët e mia
Shihni plagët që ka Shqipëria!