Sunday, July 20, 2025
BallinaVitrina e libritZymer Mehani-HIMNI I LLAPIT

Zymer Mehani-HIMNI I LLAPIT

(Kushtuar Llapit, dëshmorëve dhe bijve të lavdisë)

Llapi ngrihet si kështjellë, me gjak i larë ndër shekuj,
Ku flamuri nuk u ul, por u ngrit në çdo rrezik,
Besiana – balli i saj, me besë e me burrni,
Aty liria s’qe fjalë, por u bë jetë e përjetësi!

Në agun e një shkurti, kur bora mbulonte dhimbjen,
Ylfete Humolli, vajza e Llapit, u bë zëri i zgjimit,
Në ballë të rinisë, me gjoksin përballë plumbit,
Ajo ra, por s’u rrëzua, u ngjit mbi qiellin e kujtimit.

Ylfetja – mendimi i parë i kryengritjes së popullit,
Një fjalë e pathënë që u bë britmë në gjak,
Në heshtjen e saj u dëgjua ndërgjegjja që ndizej ngadalë,
Dhe u bë frymë që shkoi deri në Prekaz.

Atje, në errësirën e burgjeve të pafund,
Qëndronte pa u lëkundur një zë i pathyeshëm – Adem Demaçi,
Ai nuk mbajti pushkë, por mbajti idenë,
Kur mendja nuk gjunjëzohet kurrë, doemos liria vjen!

Demaçi – ura e nderit, ndërmjet Ylfetes dhe Ademit,
Fjala që s’përulet, burgu që s’e shuan shpirtin,
Ai ishte flamur në ndërgjegje, pishtar në terr,
Zëri i kombit që s’heshti, as kur e gozhduan në ferr.

Besiana flet me heshtje, si nënë që ka lot në gji,
Tërrnava rri me krenari – vatër e zemrës që nuk u drodh,
Në çdo gur, në çdo shkëmb, është një emër, një amanet:
Mos harro, Kosovë, kush të dha për liri jetë!

Në Besianë, djep i kujtesës, aty krisma bëhet fjalë,
Aty shkruhet e vërteta, që nga tymi lindur e dalë,
Ku dëshmorët flasin ndryshe, me heshtje që ther,
Se ata që ranë për liri, mbesin në altar t’atdheut përher’.

Zahiri – pishtari i parë, që e dogji errësirën,
Hakifi – fjala që s’u ndal, as kur e ndiqnin hijet,
Edmondi nga Dukagjini – vëlla në tokën e betuar,
Ra si trim në tokën e Pestovës, me trimat bashkuar.

Në Tërrnavë janë rritur si lisat pa përkulje,
Sabit Vllahiu, me zemër shqipe e shpirt çlirimtar,
Shefki Kuleta e Behar Begolli – ushtarë të UÇK-së,
Trinom i pavdekshëm që e nderon çdo varr.

Në çdo hap, në çdo betejë – ishin emër i lirisë,
Me pushkën, me gjakun, me besën në gji,
Ata s’luftuan për lavdi, por për të drejtën njerëzore,
Për Kosovën që të mbijetojë si atdhe, si nënë, si dritë.

Shaban Avdiu nga Bellopoja, fjala e heshtur nga malet,
U ngjit dëshmor në altarin, ku bien vetëm të rrallët,
Ai nuk u nda nga liria, s’i tha “jo” kushtrimit të kësaj votre,
Sot qëndron si lis në kujtim, në fjalën e çdo stërnipi e motre.

Llapi – tokë që flet me gjuhën e rezistencës,
Nga Merdari e deri në majat e Gollakut,
Nga Llausha, Pakashtica, deri në Llapashticë,
Janë rritë trimat që kurrë s’u përkulën si lisa e çiparisë.

Këtu nuk u shterën kurrë krojet e krenarisë,
Këtu liria s’qe veç ëndërr, por amanet e mision,
Në çdo stinë u ndezën zjarret e kushtrimit,
Në çdo prag u lind një luftëtar, një vizion.

Këtu ra Ylfetja – vajzë me zemër shqipe,
Mentori e Iliri, me gjakun shkruan dritë,
Këtu Aliu, Hasani, e bij të panumërt,
I dhanë jetë Kosovës, i dhanë zë lirisë.

Edhe sot kur dielli përkundet mbi kodra,
Në Llap dëgjohet jehona e betimit të vjetër:
“Kosova është nënë, dhe nënat s’jepen kurrë”,
Dhe kjo tokë mbetet – Altar e Flamur.

Besiana, një copëz qielli në tokën e shenjtë,
Tërrnava, shtyllë e gjallë e qëndresës pa frikë,
Në Llap shkruhen amanetet e brezave,
Se Llapi s’vdes – veç ringjallet për çdo vit!

O Llapi ynë, tokë e fjalës, e pushkës, e bukës, e zërit,
Ti nuk je veç emër vendi, por thellësisht identitet i shpirtit!
Në çdo cep t’i kemi emrat, në çdo zemër kemi betimin:
Të veprojmë si ata që ranë – për Atdheun, për Ribashkimin!

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT