Thursday, March 12, 2026
BallinaVitrina e libritQirici Mina-Vanka: Balada e Qershizës dhe Dashurisë

Qirici Mina-Vanka: Balada e Qershizës dhe Dashurisë

Kur isha i vogël, nëna ime, Vanka, më rrëfente histori dhe legjenda që e mbushnin botën me ngjyra dhe aromë qershize. Zëri i saj i ëmbël më mësonte se dashuria dhe kujtimi janë më të forta se çdo largësi dhe çdo dhimbje.Kjo baladë është për të, për nënën time të shtrenjtë, për kujtimin e saj të pafund dhe për mësimin që më dha: se dashuria nuk shuhet kurrë, ajo lulëzon në çdo pranverë, në çdo kokërr qershize, në çdo zemër që guxon të dojë.

Vanka u kacavar mbi degët e qershizës dhe mbushi gjoksin e bardhë me kokërra të kuqe.
-O udhëtar! Shuaj etjen e rrugës!
Djaloshi u step. Nuk u besoi syve.
-Është qershiza e Pandos! E mbolli atë mot kur mori kurbetin për në Amerikë. Po ti… Vanka je?
-Eh… tim atë e hëngri kurbeti… S’ia dimë vendin dhe as varrin.
-Sa je rritur, moj Vanka! Kur ika nizam, të lashë njëmbëdhjetë vjeçe…
-Kaluan shtatë vjet, o Vani. Tani jam tetëmbëdhjetë. Aq sa ishe ti kur more rrugën e Anadollit.
Vanka zbriti nga pema. Prehërin dhe gjoksin e bardhë, mbushur me qershiza të kuqe, ia zgjati djaloshit.
-Të bëfshin mirë!
-Jo… dua buzët… qershizë.
-Të tuat janë. Të kam pritur me ankth shtatë pranvera, shtatë behare, shtatë vjeshta, shtatë dimra.
Një natë me hënë, Vani tha:
-Qershorin e ardhshëm, kur qershizat të skuqen në degë si buzët e tua, do të vij të të marr nuse!
-Edhe shtatë jetë po të kem, në të shtata do të të pres. E nëse mishi më tretet, amaneti do të mbetet.
Por Vanka nuk u bë kurrë nuse.
Mëma i tha:
-Vdes dhe nuk të lë të martohesh me Vanin!
-Unë jam ajo që do të vdes…-psherëtiu vajza me dhimbje.
Vanka u mbyll në shtëpi. Zemra i pikonte gjak. Shpirti i pikonte helm.
Erdhi prilli. Çelën lulet e bardha të qershizës.
Erdhi qershori. Morën flakë qershizat në degë.
Doli hëna. Doli dhe Vanka nga shtëpia, fshehur syrit të mëmës.
Të nesërmen, pa zbardhur ende agu i mëngjesit, pa nisur ligjërimin zogjtë e pyllit, mëma e gjeti bijën të pajetë poshtë qershizës.
Kokrrat e kuqe mbulonin kobshëm fustanin e bardhë të nusërisë. Buzët i flakëronin si perëndimi i diellit në horizont.
Mëma thirri sharrëtarët dhe druvarët e fshatit.
-Priteni qershinë! Bëni dërrasa dhe ndërtoni dy arkivolë!
-Pse dy, zonja mëmë?
Zonja mëmë heshti. Zonja mëmë u bë akull. Zonja mëmë u nguros.
I varrosën pranë njëri-tjetrit në kishën e Shën Kollit.
I mbuluar nga dhimbja dhe brenga, Vani mori arratinë në pyll. U bë eremit.
Natën rrinte mbi varrin e Vankës. Qante dhe ulërinte si era e tërbuar që përplas në shkëmbinj shiun e acartë.
Sytë, det me lot.
Zemra, oqean me helm.
Shpirti, mal me brenga.
Mallkoi Zotin.
-Pse ma more dashurinë? Pse ma rrëmbeve qershizën?
Pse, o Zot?
Zëri i çau errësirën e natës.
E ngriti në këmbë. I dha forcë. Dhe e çoi, si me krahë dallëndysheje, te kopshti i qershizës.
-Vani… qershiza jonë do të rrojë.
Çdo pranverë do t’u flasë brezave për dashurinë tonë.
Dashuria jonë do ta ripërtërijë qershizën. Do t’i japë jetë dhe gjallëri.
Fshati ynë do të ketë plot vajza me emrin Vanka, plot djem me emrin Vani.
Do të dashurohen e do të shumohen nën lulet e qershizës sonë.
Zëri i butë dilte me ofshama nga fundi i trungut të prerë të qershizës.
-Ti… aty?
-Është shpirti im.
Është dashuria ime.
Është legjenda ime.
Është besa ime.
Është pavdekësia ime.
-Do të vij pranë teje. Nuk të lë vetëm në varrin e zi.
Befas, pranë trungut të sharruar, u shfaq një filiz i njomë.
Përpiqej të dilte në sipërfaqe, të puthte dritën e diellit, t’u gëzohej mëngjeseve me vesë pranvere.
Thonë se Vani u kujdes për atë lastar ditë për ditë, javë pas jave, muaj pas muaji.
Pas tri vjetësh lastari u bë trung. Trungu u bë pemë. Pema u bë qershizë.
Një mëngjes qershori, kur degët e qershive pikojnë kokrrat e pjekura, prifti i kishës së Shën Kollit e gjeti Vanin të pajetë mbi gurin e varrit të vajzës që e deshi përtej dashurisë.
Në dorë shtrëngonte një degë qershize.

Nën qiellin e hapur të qershizës, ku çdo kokërr e kuqe përshëndet diellin, jeta e Vankës nuk u shuajt.
Ajo jeton në buzëqeshjet e fëmijëve, në pranverat që mbijnë çdo vit, në mallin dhe dashurinë që nuk harrohet.
Kur dikush preket nga kujtimi i saj, aty ndjejmë zërin e ëmbël të nënës që na tregon:
“Dashuria nuk vdes kurrë.
Ajo lulëzon, përtej kohës dhe dhimbjes, në çdo zemër që guxon të dojë.”

Mina T.QIRICI
Tiranë, 12 mars 2026

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT