Friday, April 10, 2026
BallinaNgjyra jete10 PRILLI 1999 KUR HAPAT NA NDANIN NGA VDEKJA BEHAR (SYLEJMAN) MEHMETI-...

10 PRILLI 1999 KUR HAPAT NA NDANIN NGA VDEKJA BEHAR (SYLEJMAN) MEHMETI- EVOKIM KUJTIMESH NGA LUFTA

Behar Mehmti

Që nga 24 marsi 1999, ishim tërhequr në shtëpinë e vjetër, në mes të katundit. Ushtria serbe u vendos shpejt rrëzë Visoqës së Vogël dhe asaj të Madhe, duke i sistemuar mirë pozicionet e tyre me istikame. Ata nuk hezituan të futeshin edhe në shtëpitë përgjatë rrugës kryesore, të cilat ne i kishim braktisur për shkak të rrezikut të madh.
Në shtëpinë tonë të vjetër, ku prej rreth tetë vitesh nuk banonim, improvizuam kushte për jetesë. Përveç familjes sonë prej 13 anëtarësh, na u bashkuan edhe dy axhallarët me familjet e tyre, të ardhur nga Ferizaj, duke arritur kështu në gjithsej 23 banorë.
Në mëngjesin e 10 prillit 1999 filloi bastisja dhe kontrolli i çdo shtëpie në fshat. Pas kontrollit, ushtria serbe dha ultimatum që fshati të lirohej. Ishte e shtunë, 10 prill 1999 – dhe ne duhej t’i bindeshim këtij urdhri.
Gjithçka na vërtitej në kokë: nga t’ia mbanim? Si të vepronim? Po përgatiteshim për t’u larguar, por nuk dinim kah të lëviznim. Donim të qëndronim bashkë. Mendime të shumta na përshkonin. Fillimisht, disa prej nesh u vendosën në fshatrat Gjylekarë dhe Remnikë, por më pas erdhi një informacion se duhej të shkonim në Gjilan. Pa shumë hezitim, u kthyem për t’iu bashkuar kolonës që po nisej drejt Gjilanit.
Në makinën time, një “Lada”, përveç meje ishin edhe gruaja ime, dy gratë e vëllezërve dhe gjashtë fëmijë, nga mosha 6 muajsh deri në 4 vjeç. Kolona lëvizte ngadalë; kudo shihje fytyra të zymta.
Kaluam Parteshin. Teksa po zbrisnim nga tuma mbi Partesh, pamë se kolona ndaloi nga paramilitarët serbë, pranë rrugës së Cernicës. Rreth 50 metra më tej ndodhej një automjet policie

me dy policë, të cilët vëzhgonin situatën. Paramilitarët u vërsulën pothuajse në çdo automjet të kolonës. Një eskavator vinte nga Gjilani dhe u kthye në drejtim të Cernicës. Mendimet na u trazuan: paramilitarët, eskavatori… diçka e keqe po përgatitej.
Papritur, para makinës sime u shfaq një paramilitar i gjatë, me fytyrë të vizatuar, me shami në kokë dhe me automatikun të ngritur. Më nguli sytë për disa çaste, pastaj ma hapi derën dhe më urdhëroi të dilja. Më vendosi tytën e armës në shpinë dhe më detyroi të ecja përpara, në drejtim të udhëkryqit ku ishte ndalur kolona.
Vdekja më dukej e pashmangshme. Mendja më rrinte te gjashtë fëmijët dhe tri gratë që lashë në makinë. Ndihesha i pafuqishëm, si një qyqar që po shkonte drejt fundit pa mundur të mbronte as veten, as të dashurit e tij.
Deri te udhëkryqi kishte rreth 350 metra. Arritëm aty dhe paramilitari më çoi drejt automjetit të policisë, para të cilit qëndronin dy policë, sikur po na prisnin.
Paramilitari u tha:
“A po e pushkatoni apo ta pushkatoj unë?”
Policët pyetën:
“Pse, çfarë ka bërë?”
Ai u përgjigj:
“Ma ka sharë nënën serbe.”
Unë tundja kokën në shenjë mohimi. Policët thanë:
“Lëreni, se ne e rregullojmë këtë.”
Më vendosën prangat dhe më futën në automjet, në sediljen e pasme. Makina ishte e kthyer nga kolona dhe mund të shihja gjithçka që ndodhte. Kolona u detyrua të kthehej drejt Cernicës.
Dritaret e makinës ishin të hapura dhe dëgjoja policët teksa bisedonin mes vete, të habitur për atë që po ndodhte. Njëri prej tyre tha se kishin jetuar shumë afër me shqiptarët dhe kurrë nuk kishin pasur probleme.
Pasi kolona u fut në rrugën e Cernicës, policët u kthyen te makina, m’i hoqën prangat dhe më thanë:
“Mund të të lirojmë, por rrezikon të të vrasin.”
Më propozuan të më dërgonin në Gjilan dhe të më lironin atje.
U nisëm për në Gjilan. Gjatë rrugës më pyetën për ngjarjen, duke u sjellë sikur u vinte keq. Nuk i njihja dhe as më njihnin; nuk më morën asnjë shënim.
Më liruan para spitalit. Prej aty u nisa në këmbë drejt Gavranit, ku jetonte djali i axhës së babait tim, Basriu. U vendosa tek ai.
Për fatin e familjes dhe bashkëfshatarëve nuk mora vesh deri të hënën. Atë ditë erdhi babai, i cili kishte siguruar transport për në Gjilan, pasi edhe ata nuk dinin asgjë për mua. Më kishin kërkuar dhe u gëzuan shumë kur më gjetën gjallë.
Babai më tregoi në detaje për ngjarjet e së shtunës: ishin maltretuar, rrahur e plaçkitur në Cernicë dhe më pas ishin detyruar të largoheshin. Ishin vendosur në Skifteraj dhe, për fat, ishin të gjithë mirë, pa pasoja të rënda.
Desha të kthehesha me ta, por më këshilluan të mos rrezikoja, pasi rrugët ishin të mbushura me paramilitarë.
Komunikimi me familjen u ndërpre për shkak të rrezikut. Me ta u ribashkova pas një muaji, pasi ata kishin përjetuar një masakër të rëndë më 15 prill. Kishin qëndruar dhjetë ditë në mal dhe më pas ishin kthyer sërish në Skifteraj.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT