Cristiano Ronaldo mbetet një nga futbollistët më të dekoruar në historinë e lojës dhe, edhe në moshën 40-vjeçare, portugezi vazhdon të synojë rekorde të reja.
Me Kupën e Botës 2026 në horizont, ylli i Al-Nassr duket më i motivuar se kurrë për të vazhduar karrierën dhe për të hyrë edhe më thellë në histori.
Ja disa nga rekordet që Ronaldo mund të thyejë gjatë vitit 2026:
1000 gola zyrtarë në karrierë
Aktualisht, Ronaldo ka shënuar 958 gola dhe i duhen edhe 42 për të arritur shifrën magjike të 1000 golave zyrtarë. Nëse vazhdon me ritmin aktual dhe shmang dëmtimet, ai pritet ta arrijë këtë rekord historik në muajt e parë të sezonit 2026/27. Vetë Ronaldo ka deklaruar se nuk do të tërhiqet pa arritur këtë shifër.
Titull kampioni në katër vende të ndryshme
Ronaldo ka fituar kampionate në Angli, Spanjë dhe Itali, por ende nuk ka fituar Saudi Pro League. Nëse Al-Nassr shpallet kampion, ai do të bëhej një nga pak lojtarët që kanë fituar tituj kampionë në katër vende të ndryshme.
Gol në gjashtë Botërorë të ndryshëm
Nëse shënon në Kupën e Botës 2026, Ronaldo do të bëhej lojtari i parë në histori që shënon gola në gjashtë edicione të ndryshme të Botërorit. Ai është i vetmi lojtar me këtë mundësi reale.
200 gola nga penalltia
Ronaldo mban rekordin për më shumë gola të shënuar nga penalltia me 180 realizime. Nëse shënon edhe 20 të tjera, ai do të ishte lojtari i parë në histori që arrin shifrën e 200 penalltive të realizuara.
Golashënuesi i huaj më i mirë në historinë e Al-Nassr
Me 113 gola të shënuar për Al-Nassr, Ronaldo është vetëm tre gola larg rekordit të Abderrazak Hamdallah, i cili ka 115 gola dhe mban rekordin si golashënuesi i huaj më i mirë i klubit.
500 gola pas moshës 30 vjeçare
Ronaldo ka shënuar 494 gola që nga momenti kur mbushi 30 vjeç dhe është shumë pranë një tjetër rekordi historik: të bëhet lojtari i parë që shënon 500 gola pas moshës 30 vjeçare.
Me formën dhe motivimin që vazhdon të tregojë, viti 2026 mund të jetë edhe një kapitull historik në karrierën e jashtëzakonshme të Cristiano Ronaldos./Front online/
