Kriza energjetike në Kosovë rëndon edhe imazhin e Kosovës para investitorëve të huaj që i shmangen. Sipas raportit të Kombeve të Bashkuara për Tregti dhe Zhvillim, në Serbi, në formë të investimeve të huaja gjatë vitit 2020 kanë hyrë 3.4 miliardë dollarë, derisa në Shqipëri janë investuar 1.1 miliard dollarë.
Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, thotë për Radion Evropa e Lirë se furnizimi stabil me energji elektrike është një nga faktorët më të rëndësishëm në funksionimin e bizneseve.
Mungesa e këtij produkti, shton Zeka, po dekurajon investitorët ndërkombëtarë të vijnë në Kosovë.
“ Kriza aktuale energjetike dhe mosveprimi i institucioneve të vendit për të evituar krizën aktuale që së paku e njëjta të mos përkthehet në vështirësi të operimit të bizneseve, qofshin ata investitorë të jashtëm apo të brendshëm, dekurajojnë investitorët që kanë vendosur të investojnë apo edhe ata të tjerët që kanë konsideruar që të zgjerojnë aktivitetin e tyre në Kosovë “, thotë Zeka.
Lajmet në media ndërkombëtare se Kosova është në krizë të thellë energjetike dhe ka mungesë të furnizimit, shton Zeka, e rëndojnë imazhin para investitorëve të huaj.
Problemi me furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike në Kosovë ishte theksuar edhe në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit për Klimën e Investimeve të publikuar në vitin 2020.
Në këtë raport thuhej se Kosova ka potencial për të tërhequr investime të huaja direkte, por një nga problemet që e pengon ardhjen e investitorëve të huaj në Kosovë është edhe furnizimi jo i besueshëm i energjisë.
Që nga 22 dhjetori, konsumatorët në Kosovë po përballen me reduktime të energjisë elektrike. Situata energjetike është përkeqësuar pasi konsumi i energjisë nuk po mund të mbulohet nga kapacitetet prodhuese të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).
Aktualisht, prodhohen deri në 600 megavatë rrymë në orë, kurse konsumi ka arritur deri në 1,400 megavatë në orë.
Sipas të dhënave të Agjencisë për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), dërguar Radios Evropa e Lirë, përgjatë periudhës janar – shtator 2021, shuma zyrtare e investimeve të huaja është 321.8 milionë euro.
Nëse krahasohen me vendet e rajonit, si Shqipëria dhe Serbia në Kosovë, investimet e huaja janë shumë më të ulëta.
Sipas raportit të Kombeve të Bashkuara për Tregti dhe Zhvillim, në Serbi, në formë të investimeve të huaja gjatë vitit 2020 kanë hyrë 3.4 miliardë dollarë, derisa në Shqipëri janë investuar 1.1 miliard dollarë.