Mbrëmja e sotme garanton emocione të forta dhe të paparashikueshme për të gjithë adhuruesit e futbollit pasi që në program janë tri ndeshje jashtëzakonisht interesante nga tri kampionatet më të forta të kontinentit të vjetër, atij anglez, italian dhe spanjoll.
Në fakt, me fillim nga ora 20:45, në kuadër të Kupës së Ligës së Anglisë do të ballafaqohen dy skuadrat londineze, Tottenhami dhe Chelsea për ta zhvilluar ndeshjen kthyese të fazës gjysmëfinale. Sfida e parë i takoi skuadrës së Thomas Tuchel që fitoi me rezultat 2-0 dhe rrjedhimisht ka një avantazh për të kaluar në finale
Për të vazhduar më tutje, nga ora 21:00, në stadiumin “Giuseppe Meazza”, Interi e pret rivalin e përbetuar Juventusin në finalen e Superkupës së Italisë, përcjellë KosovaPress.
“Zikaltrit” si kampion të Italisë dhe “bardhezinjtë” si fitues të Kupës së Italisë do të përplasen për trofeun e parë sezonal. Si Inzaghi, ashtu edhe Allegri kanë thënë para ndeshjes se do të luftojnë me çdo kusht për ta rrëmbyer këtë trofe.
Vëmendje të madhe padyshim se do të rrëmbejë edhe ballafaqimi ndërmjet Barcelonës dhe Real Madridit në “El Clasicon” e dytë për këtë sezon që do të zhvillohet në “King Fahd International Stadium” në Riad në gjysmëfinanlen e Superkupës spanjolle.
Fituesi i këtij takimi do të kalojë në finalen e këtij kompeticioni dhe do të ballafaqohet me fituesin e duelit ndërmjet Atletico Madridit dhe Athletic Bilbaos.