SHPIRTI IM
Shpirti im,
a i ndjen gjurmët e vitit që shkon
të festave që aviten me hapin e trishtë
përmes zhvendosjes ngjethëse të reve
athëtisë që udhëton me shputa ere
për të zbritur oxhakëve që vjellin tym
sofrave kërrusur në pikëllim
e rrënqethjes vizatuar në mornica,
teksa pema
përvjedhur nën një duhmë mjergulle
ndez dritat e përhumbet vezullimave
e rrek forcën e fundit të frymëve…
Shpirti im,
mos më braktis!
Mos u venit mbrëmjeve të kotura
tërsëllimës shurdhuese të thërrmimit të ëndrrave
as çjerrjes së heshtjeve,
shemb katakombet ku djajt hedhin valle
e lyp agime pa dënesë
mos i tkurr krakët
murit të lartë të mjergullave,
mos u trishto mungesës së përqafimeve
as mpirjes së shqisave
mbyllur burgjeve me rrangullina
e xhama plot rrëzëllima,
atyre që vetë ndërtuam
me pragun më të akullt se kurrë…
Vish buzëqeshjen që për ty gdhenda
me zmeraldë e lima
dhe frymën time,
e qëndro gjithmonë me mua…!
……………………………………….
VAJ NË TELAJO
-për nënën-
Symbyllur pikturoj portretin tënd, nënë,
e hapat magji më kumbojnë në mendje,
loti memec mbi buzë tek rrokulliset,
dhimbjen tek lidh me një fjongo shprese…
Shfaqet mbi telë imazhi yt prej ëndrre…
Si një Mona Lizë me syrin e zhveshur,
qepallat lodhur në të gjatët dimra,
pafundësi enigmash mbi buzën e heshtur…
Brymë përmbi flokë, brenda një mijë ngjyra….
Frymon siluetë e imazhit tënd prej ëndrre…
Duart e arta bashkuar në lutje
tek pret alkimitë e filizave mbjellë
honit, monopatit apo përtej detit
vetëm atëherë buzëqeshja jote çel.
Avitet ëmbëlsisht, imazhi yt prej ëndrre…
……………………………………………………………………..
I HUAJ
Ti vjen nga tokë me besë
Ku derë e tjetrit edhe jotja kishin të njëjtën rezë
Ku burri betohej, për qiell e dhè
Ku varri i Atit, besnik të pret atje!
Mbas rruge t’gjatë, pa fre, pa kry,
Zemrën pezmit krisur
rrënjë ke zënë, aty!
Aty, ku gjithmonë je i huj…
ku puna jota, s’ka t’njëjtën bujë
Atdheun ku ta gjujnë me gur,
Padronë, që nuk ngihen kurrë
Dhe ditën me zor pret të vijë
Të ikësh nga e gjithë kjo vujë
T’braktisësh dihamë t’pikëllimtë
E të shkosh atje, atje ku prapë, “I Huj” je!
……………………………………………………………………….
TI JE KËTU
Më pëlqen të mendoj, se Ti je atje,
lartësive të epërme
mbështjellë me petkun e një melankolie
tek vështron njerëzit si braktisin udhën
për t’u arratisur honeve
shkretëtirave të vuajtjes,
në kërkim të burimeve për t’u zhuritur më pas bashkë me bishat…
Më pëlqen të mendoj, se Ti je atje
me vështrimin që kurrsesi nuk turbullohet,
heshtjes që vetëm të shton bekimin
tek vështron plot dhimbje,
të gjithë ata që ta kthyen shpinën
e në pazare ordinerësh të helmuan shpirtrin…
Më pëlqen të mendoj, se Ti je këtu
sa herë zjarret tymuese djegin ëndrrat
për të shuar etjen, vrullin e flakëve…
zbritur përmes krahëve të gjatë të shiut
apo përmes feksjes së rrezes që shpirtin ngroh
me fuqinë e saj ogurmbarë…
…………………………………………………………………
FJALË…
Të cungtat, fjalë…
Prej zgavrës së shpirtit, po dun’ me dalë.
Prej palcës s’eshtrës, tërhiqen zvarrë.
Të cungtat fjalë!
E nëpër sita, hedhin valle
Kangjella t’hekurta, përballë…
Të cungtat fjalë…
Të vdekurin, e ngrejnë nga varrë
Të gjallin, e lënë të vrarë…
Të cungtat fjalë!