Akoma aty
Akoma ruhen gjurmët e gishtave mbi gotën e verës,
Edhe gjurma e buzëve kur e pive për të fundit herë,
Aty dhe plasaritjet në mur nga përplasja e derës,
Akoma dhe mbulesa në tavolinë e pisët e çjerrë!
Futem shpesh tek kjo dhomë,
Ashtu ka ngelur që atë natë,
E tillë ishte dhe dashuria jonë,
E zjarrtë e trishtë dhe e pa fatë!
Akoma dallohen gjurmët e lëna,
Që u përzihen me verën dhe me mallin,
Aty akoma edhe lotët e rëna,
Trishtimin në sy, në shpirt më ngjallin!
Akoma më gumëzhijnë fjalët që thamë,
Jo si dolli gëzimesh e përshëndetjesh,
Për darkën e fundit ndoshta e lamë,
Të dehemi në urrejtje e dolli dertesh!
Aty të gjitha fjalët dëgjohen,
Kurse të qeshurat kanë humb,
Trokitjet e gotave harohen,
Vetëm trishtimi pihet me fund!
Të gjitha rrëmujë kanë mbetur,
Si fasho të gjakosura, të hedhura të një plage,
Shpërndarë mërzia ngado tretur,
Varur në qoshe muresh… rrjete merimange.
……………………………………
Ma merr mallin
Ma merr mallin kohë e ma bëj erë,
Të përshkojë kujtimet e përmalluara,
Si një fllad te fryj mbi lulet në pranverë,
E ti zgjoj nga ëndrrat e harruara!
Ma merr mallin e ma bëj ndjenjë,
Lëre të rrjedh ngadalë si një përrua,
Që brigjet dot nuk e gënjejnë,
Ujëvarë të bjerë këtu mbi mua!
Ma merr mallin e ma bëj dritë
Fute atje ku asgjë nuk shihet
Atje ku heshtja fillon zë pritë
E nga drita zhurma të ndihet!
Me rrëmbe mall e më bëj lodër,
Me hidh e prit ne krahët e tua,
Më gënje me karamele,
E nëse qaj, më ler …se dua!
Merrma mallin e ma bëj hap,
Ma hidh përtej si kilometër
Unë më shum do mund ta zgjat
Ky mall, dëshirë më do patjetër
Ma merr mallin e ma bëj mur
Gurë mbi gurë si mal të rritet
Nuk do dorëzohesha kurr
Me thonj lart, do mund ti ngjitem!
Ma merr mallin e ma bej erë,
Ma tret në shpirt nga dashuria
Lere të bërtas përherë
Të qaj, të qesh…fëmijëria !
Fani Duro Janar 2020.
Gjithmon brënda çdo njeriu ekziston një fëmijëri e fshehur, që shpesh e shfaqim si nevojë, si një mall i një kohe të ikur, të bukur që nuk mundemi dot ta humbasim kurrë nga kujtimet tona.
Një detaj nga femijëria dhe na shfaqet në memorje gjithçka nga ajo mosh aq e bukur, e pafajshme dhe e çiltër. Na duket kaq e largët sikur kemi jetuar në një planet tjetër, i ngroht, i bukur, i magjishëm, plot jet dhe dashuri. Fëmijëria është mosha që nuk guxojm dot ta përlyejm dhe ta ndotim, nuk guxojm dot… !
………………………………………..
Vargje do thur
Nëse ti heshtjen e quan mëri
Dhe syt i mban ulur dhe si ngre dotë,
Me syt e tu unë vargje do thur …e di,
E fjalët pa dashje do ti kthej lotë!
Me heshtjen tënde do nis të shkruaj,
Ta bëj të flasi me emocion,
Edhe pse heshtjen tënde e vuaj
Sytë ty loti po ti mbulon!
Në faqe leht po të rrëshkasin
Por prap ti sytë nuk po mi ngre,
Fjalët në vargje të godasin
As syt e mi ti nuk po mi sheh!
Më dhimbsen lotët që ti lëshon,
Në shpirt thell më godasin
Por unë e di dhe më beson,
Se vetëm mua më perkasin!
Ja pra ta dish, hakun e more
Më bëre që vargje të thur me vrap,
E nëse merzitesh e je fajtore,
Unë vargje me lot do të thur prap!
……………………………………….
Rrëshkiti lot
Rrëshkiti lot,
në pluhurin e harresës,
dhe krijoi një shtrat
kujtese,
një njollë të gjatë emocioni faqes së kohës,
mori para grimca dhembshurie,
u ndal diku në cep të buzës,
u puth me dridhjen,mallin, dëshirën.
Pastaj u shkëput dhe ra,
… preku lamtumirën.
…………………………………………..
Vetmi
Në shijen e hidhët të kafes,
Mërzinë e derdhi mbi tavolinë,
U perzie me hirin, bishtat e cigares,
Rrënkoi, e dhimbje ndjeu në shpinë!
Dhe gota i dridhet në duar,
Se ka nga mosha, as nga pleqëria,
Ndoshta një ditë e keqe i ka qëlluar,
Apo… kështu janë të gjitha ditët e tija!
Filloj të grindet dhe me kamarierin,
Qe s’do më që ai të pijë dhe ti shërbejë,
Ç’të ketë vallë me këtë të mjerin,
Nuk do që me fund gotat ti rëkëllejë!
Ka pirë aq shumë sa behet të bjerë,
Dhe ora shkoi vonë,katër pa pesë,
Po vall shtëpine a do ta gjejë?!
Ja shkoi atje, po kush do ta presë!
Në shtëpi një hapësirë e madhe,e qetë,
Fotografi pa fund, fëmijë, nipër dhe mbesa,
Të gjithë shpërndarë, larguar në kurbetë,
Dhe gruaja ikur, me vite në varreza.
………………………………………
Muri i vjetër i avllisë
U rrënua, u shemb dhe muri i vjetër i avllisë,
nga pritja, mërzia, nga malli.
U shemb mbi gjoksin tim pesha e viteve, rrënkuan historitë.
U shemb dhe muri i vjeter i avllisë, plitharët( qerpiçët), brezat e drunjtë, u bënë pirg keqardhjesh, kujtimesh.
U prish kamarja ku babai mbante sqeparin, mistrinë, plumçen.
U prishën kamaret, furiqet me kashtë,
furiqet ku pulat bënin vezët, dhe nëna i mblidhte në mësallë.
Kamaret ku fshihja llastiqet, ndonjë mollë,ndonjë lek hekuri (dyshkë apo pesëshe).
U rrënua dhe muri i vjetër i avllisë, porta prej dërase e vjetër, panxha prej hekuri me ndryshk.
U prish çatia sipër portës, u thyen qyramidhet, u ndanë në copa dhimbjesh.
Sofati ku ulej nëna dhe thurte triko në shtiza,
me komshiet, me gratë e lagjes.
U shemb muri i vjetër i avllisë ,kur hidhesha sipër tij orëve të vona, kur mbyllej dera dhe qeni me sulej( S’me njihte Kani, Selito)
dhe unë gjithë nerva e ndiqja baçes, domateve, piperkave ta godisja,
të më “kerkonte falje” dhe ai kuiste, dridhej dhe unë e ndalja dorën,
dhe shkoja fshehur,hyja në rroba të flija.
U rrenua dhe muri i vjetër i avllise, ranë plitharët( qerpiçët), u prishën folete e grenxave, vrimat e tyre, që i zija me balte dhe kleçka.
Ra,u rrenua muri i vjetër i avllisë, u shemb mbi gjoksin tim një peshe e rëndë vitesh, kujtimesh, nostalgjish, ranë në gjoksin tim historitë,
dhe unë ndjeva dhimbje,
klithje në shpirt.