Voskopoja, në krahun perëndimor të qytetit të Korçës, është një nga qendrat më të bukura turistike në vend që vizitohet në çdo stinë.
Është e bukur në pranverë ku natyra, gjelbërimi dhe ngjyrat e stinës bëhen bashkë për të krijuar tablo natyrore mjaft piktoreske, në verë kur temperaturat janë ideale për të larguar të nxehtin dhe kaosin e qyteteve të mëdha; në vjeshtë ku e kaltra e qiellit, përzihet me ngjyrën e kuqërreme të gjetheve dhe të gjelbrën e barit mbi lëndina; në dimër me bardhësinë dhe mundësinë për të ushtruar sportet dimërore.
Djep i kulturës bizantine ndër shekuj, plot histori e trashëgimi monumentale, kulturë, art, ashtu siç tregohet nga historia ka qenë një qytet i banuar që nga vitit 1330 që arriti kulmin e lulëzimit në 1764, kur kishte më shumë se 30.000 banorë, 24 kisha, akademi, bibliotekë dhe shtypshkronjë.


Gjen aty një pistë skish për dimër, ajër të pastër, mikpritje, çmime konkurruese dhe ushqim të shkëlqyer.
Është vendi ideal për zhvillimin e turizmit malor dhe llojeve të tjera të sporteve verore dhe dimërore.
