Wednesday, February 5, 2025
BallinaVitrina e libritCikël poetik me poeten Bujana Xhindoli

Cikël poetik me poeten Bujana Xhindoli

-Verbëri —
Verbëria ime në dhomën e errët
shikon vetëm ngjyrën e bardhë.
Jashtë, ajo sheh kthjellët
trishtimin në petkun e luleve
e zogjtë dimërues,
që këndojnë këngë malli,
si malli im,
për të dashuruarit në stacion
veshur me pulovra të endura, si dikur.
Verbëria ime
sheh ecjen e vocërrakëve faqekuq e duarmardhur
nga i ftohti i qytetit që s’fle kurrë,
qyteti po dergjet!
Verbëria ime s’fle,
por, terr shikimin tim.

………………………………………………………………………….

–Barrë e rëndë në shpirt–
Nuk e mbajta premtimin
që të dhashë baba,
në pranverë, nuk do të çelin lulet e kumbullës në kopshtin tim.
Nënë, këtë vjeshtë do të jenë më pak zogjë në oazin tonë…
u larguan,
bashkë me të dashurit
ikën e më s’erdhën, nënë!
Si mund t’i mbaj premtimet që j’ua dhashë
kur ndihem e mjerë,
e humbur,
pa ajër e dhé?
Motër, e mirëza ti
thuaje një fjalë,
zgjatma dorën e fortë
lehtësoma barrën në shpirt,
që ta çlodh këtë zemër gruaje.

…………………………………………………………….

–Kur gatuan trishtim–
Sa kohë që gatuaj
pa shije?
Aromat larguar
sikur trumcakët,
bashkë me dëshirën për t’u zgjuar n’agim
me cicërimën e zogjve
për një ditë të re,
për të rifilluar si ata.
Po e largoj kët’ makth
që mbyt shtatin
e rrëmben forcën.
Ngrihem,
bashkë me copëzën timen
që do të buzëqesh!
Sa dhimbje kur gatuan trishtim!

………………………………………………………………….

–Aromat zgjojnë kujtimet–


Kujtimet e mia për ty
janë ditët e plota,
kur zgjohesha me fjalën tënde melhem
e flija me aromat e kopshtit tënd
çelur për çdo stinë.
Sot, mbi takëme
shoh buzëqeshjen tënde
dhe dy lot të ngrirë nga takimi ynë i fundit.
Kthehem në një tjetër kohë,
në një tjetër vend,
kërkoj me sy gratë
që më mësuan të dua aromat.
Kuzhina ime është e mbushur me aromat e tyre,
çdo aromë,
ditë pas ditë më mësoj të jem grua.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT