Nikolla Llambro lindi në fshatin Kardhikaq të Delvinës, më 1 mars 1948. Kreu Institutin e Lartë të Arteve, dega e dramës , më 1974. Qysh student luajti rolin e Mitaqit në filmin “Shpërthimi” të Muharrem Fejzos, që u kushtohej punonjësve të naftës, por që nuk u dha për arsye të arrestimeve masive në këtë sektor.Më 1975 u emërua aktor në Teatrin e Gjirokastrës, ku luajti 30 role, nga këto: Besniku te drama “Shtrëngata në male” e Pirro Stefës, Mato Gruda te dramatizimi i romanit “Njeriu me top” të Dritëro Agollit, shkruar nga Thanas Dino, Beshiri te drama “Duke u gëdhirë viti ’45” e Teodor Laços, Zeneli te komedia “Pas vdekjes” e A.Z. Çajupit, Jani te komedia e “I padjallëzuari” e Dhimitër Psathait etj. Në film interpretoi, gjithashtu, role të spikatura si te “Liri a vdekje” ( Zemani), “Nata e parë e lirisë” (Gaqo), “Koncert në vitin 36” (shoferi) etj. Në vitin 1991 emigroi në Greqi. Aty punoi për sigurimin e jetesës, njëkohësisht u aktivizua në disa realizime skenike e filmike të këtij vendi. Kështu, mori pjesë në filmin serial “Dashuria erdhi nga larg” me regji të Manutho Manushaqi, në rolin e Ramizit, si dhe në filmat televizivë me metrazh të shkurtër “Djem të mbarë” dhe “Larg nga deti”. Në teatrin “Bota e re“ të Athinës interpretoi në dramën “Emigrantët” të Mrozhekut rolin e fshatarit, në shqip dhe në greqisht, si dhe në dramën e Xh. Steinbek “Njerëz dhe minj”. Është anëtar i Shoqatës së Artistëve të Greqisë.