Sunday, August 24, 2025
BallinaVitrina e libritCikël poetik me poeten Viktoria Xhako ( Zhorzh Sand)

Cikël poetik me poeten Viktoria Xhako ( Zhorzh Sand)

1.NË DITARË TË PASHKRUAR

Varur qiellit tim gri,
Endem ajrit të rralluar,
Në kujtime mjegullore,
Në ditarë të pashkruar.

Kolovitem hapësirash,
Sytë veshur vello malli.
Nata rri e palëvizur,
Bebëzash hesht shuar zjarri.

Ndjeva gulshe, gjak të valë,
Zemrën, harqe vetëtimash.
Netët u ndriçuan befas,
Yjtë zunë vend lëndinash.

Atje tej një buzëqeshje,
Nisi përqafim të ngrohtë.
Rruga ishte shum’ e gjatë,
Era ishte shum’ e ftohtë.

-Ajri ësht’ puhiz’ e lehtë,
Hiqe trikon,- the, -nga beli,
Lëre, ty ta shndrisë trupin,
Lozonjarja rreze dielli.-

Por, sa keq! Sa shpejt vjen nata.
Dhe ti nisesh horizontit,
Ku nuk ka asgjë të gjallë,
Veç vrastaret shkrepëtima,
Që i ruan qen Cerberi,
Jargëvarur, gjuhëjashtë.

Angullin ky shpirt i natës,
Duke ndjell’ ogur të zi.
………………………………..
Hap ditarët e pashkruar…
… Të pashkruar përsëri!

……………………. …………………………..


2.MË FOLI GJETHJA

Një gjethe vjeshte ra në park,
Mbi prehrin tim, nuk di se pse.
Me sytë e verdhë më tha diçka,
Nuk e kuptova, foli pa zë.

S’e di nga ç’pemë e solli era,
As shpirtin s’ia kuptova dot.
Kish gjuhë të thjeshtë, fjalëmunguar,
Me sytë e verdhë diçka më thosh.

Një bosh më la në kraharor,
Kur e lëshova në tokën e ftohtë.
Tani në shpirt dhe unë kam ngrirë,
Vuaj, që s’e kuptova dot.

…………………………………………………….
3.OH, ATË NATË!

…Oh! Atë natë!
Kur po vdisnin yjet e fundit,
Pranë m’u ule, bija ime.
Kokën vure në prehrin tim.
Të përkëdhela flokët e bukur.
Ti ndërtove të nesërmen, agim!

Oh! Atë natë!
Kur yjet e fundit po vdisnin…
Zëri m’u shua në pëshpërimë.
Ti cicëroje, cicëroje si zog.
Flisje për të nesërmen, agim.
Zemra në gjoks m’u dogj!

Atë natë, kur yjet e fundit vdisnin.
………….. ………………………………….

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT