Rreth 5000 litra vaj, pa dokumentacion të origjinës janë konfiskuar në marketin “Viva Fresh Store”, në qytetin e Rahovecit, lajmin e bëri të ditur Nora Boshnjaku, Drejtoreshë e Inspeksionit në këtë komunë
Mbrëmjen e kaluar Inspektorati i Tregut ka mbyllur depon kryesore të këtij marketi, pas një bastisje nën dyshimet se ka abuzuar me çmimet e vajit.
Kryeinspektorja dha shifrën dhe arsyen saktë të vajit të sekuestruar.
“Inspektohen marketet në komunën e Rahovecit, sekuestrohen 4676 litra të vajit, në mungesë të dokumentacionit të origjinës”, shkroi ajo në rrjetin social Facebook.
Sipas sajë institucioni të cilin e udhëheqë është duke punuar maksimalisht që të parandalojnë manipulimet me çmime.
“Drejtoria e Inspektoratit, Inspektorati i Tregut, po inspekton intensivisht operatorët ekonomikë për ngritjen e menjëhershme të çmimeve të produkteve ushqimore esenciale, siç janë vaj ushqimor, mielli, sheqeri e të tjera”, shkroi kryeinspektorja.
Ajo publikisht u bëri thirrje qytetarve që të raportojnë nëse hasin në parregullsi të tilla.
Për çdo mashtrim që mund të ndodhë gjatë blerjeve e në veçanti për çmime, qytetarët luten të njoftojnë menjëherë Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit në numrin e telefonit 0800 11000 ose në platformën https://konsumatori.rks-gov.net/, shkroi ajo.