LUTJE TY
Ma thuaj një fjalë
Çfarëdo qoftë ajo
Vetëm le të jetë zë i shpirtit tënd…
Me atë zë dua t’i këndoj
Të gjitha këngët
Që përjetësojnë bukurinë
e shpirtit tënd…
Ma thuaj një fjalë
Që i bënë të çelin lulet
E kultivuara me bukurinë e duarve tua…
Me ato duar
dua të ma rregullosh
kuroten e dashurisë
sipas shijes sate
që unë të bëhem e vetmja
që mund ta ndjesh me shpirt…
Ma thuaj një fjalë
Që përjetëson lumin e dashurisë
Nëpër ty dhe nëpër mua
Dhe të bënë të ndihesh i dashuruar
Ma thuaj një fjalë
Që e bënë diellin e besimit
Të na shoqërojë kudo…
Nënë dritën e tij
Dua t’i arrijë horizontet
Ku të pëlqen ty të takohemi…
Ma thuaj një fjalë
Qoftë edhe ajo :”Të dua”
Se të dua dhe vetëm të dua….
Se dua t’ia bëj shpirt
Gjithë asaj që ndjej
Dhe më bënë krenare….
DHEMBJE E PANËNSHTRUAR II
Kur ti do jesh këtu… bota do humb kuptimin.
Netët, ditët, gëzimet, festat… të gjitha, të gjitha
do humbin kuptimin.
Trëndafilin nuk do guxosh të prekësh me dorë,
madje as me sy nuk do kesh kurajo të vështrosh.
Thjesht, më nuk do jetosh
dhe pasqyrat do thesh ngado
Kur do jesh këtu… kalendari do jetë një tezgë,
mbi të cilën do shiten tepër lirë
lotët dhegjaku i dhembjeve.
SA LARG MË JE, SA AFËR ME JE!
Sa larg më je, sa afër më je,
ti Atlantidë, stepë, pol jugu!
Zemra ime është shqyer në miliona pjesë,
e ke ngado, ku vete e kthen ti, ku qesh, derdh vrerë.
Kështu Kërçova m’është rrugë ku shkelte Flober, Prever
e shumë poetë nga të katër anët e botës. Isha e jam me ata
dhe kur mihin shpirtin dhe kur prekin plagët,
zemra ime është zemër e kthyer nga fate betejash,
që futet në buqete festash e valle të një dasme.
Sa larg më je, sa afër më je,
ti plazh i valëve, ti perëndi e mëkateve,
të dua kaq herë, sa do pianeci verën e heroi lirinë.
Zemra më plas dhe dëgjoj murmurimat e zemrës tënde.
Kur rënkon ti, unë futem nën tokë fare.
Kur triumfon ti, unë shtoj buzëqeshjen e çdo arme.
Ky vend lashtësie të fortësisë si jetë e tëra perëndive,
me jap shpirt e gjak, të të dua, sa do bima e mugulluar
diellin e shkrumbit tim, – kësaj are.