Monday, September 1, 2025
BallinaVitrina e libritÇaste poetike me poeten Gjelina Maçi Keci

Çaste poetike me poeten Gjelina Maçi Keci

VAJZËS LEZHJANE

Moj e mira, vajzë lezhjane

Si drenushë që zbret nga mali

Bardhë si bora, iliriane

Kur je larg, më mbytka malli .

Kush të pa ty, moj bukuri

Ndrin si hëna vajzë lezhjane

Buzëmishtë si qershi

Ndrin si diell vajzë shqiptare.

Perëndeshë si mrekulli

Kur të shoh që del sokakut

Lule e rrallë me plot freski

Plase zemrat prej merakut.

Trëndafile, moj princeshë

Bardhë si bora e syshkruar

Gojëmjaltë si hyjneshë

Ti po ndrit si ari i kulluar.

Lumja nëna ç’vajzë që ka

Flokët tufë derdhur në shpinë

Belkëputurës kush të pa

Gjithë yjet ja kanë zilinë.

Bregut të detit me hire shumë

Më e bukur se hënë e plotë

Si ti vajzë nuk gjen askund

Bukuroshe me të pi n’gotë.

Zanë magjike në sytë e djalit

Të dha zoti hijeshi

Si sirenë noton mes mallit

Më e bukura në shqiptari.

E plagosën diku pranverën

Pa ikur nga planeti ynë pandemia

Djalli akoma kërkon jetë të gëlltisë

Në qiellin e sterrosur thërret pafajësia

Me gjak njerëzor lahet rruga e lirisë.

Shpresa ka humbur në rrugët e botës

Nena loton fëmijën që nuk do e zërë pranvera

Me tanke e raketa godet kuçedra e tokës

Gjer në kulmin e dhembjes brengoset zemra.

Dimrit stërgjatur me akull e suferinë

Rrugës kurth të ri i ngritën pranverës

E plagosen rëndë diku atje dashurinë

Nën tokë mbetën të gjalla nuancat e jetës.

Frymën ja morën në tymnajë qiellit

Engjëjt qajnë, krahëvrarë përpëliten

Pamjen ia zunë agimit, hanës e diellit

Shpresat e botës rëndë po tronditen .

Një lastar mimoze sapo kishte çelur

Në pellgje gjaku parfumosej me barut

Në krahë të nënës së dashur rrinte zbehur

E përkëdhelte mes krismash që dhimbjen e zbut.

DRANDOFILLE

Mos u ngut me u çilë kaq shpejt

Pa ikur nga lulja pikëla e vesës

Që të rritesh prit një rreze diell

Të mos i druhesh as shiut, as erës.

Tash të rrinë pëllumbat nëpër degë

Magjeps gjithkënd duke të shikue

Drandofille e bukur me aromë e jetë

Krejt me ar të tanë kanë me t’mbulue.

Mos ki drojë në rrugë nga askush

Prej në oborr e lodro me hanë e yje

Diellit ruaju kur është zjarr e prush

Veç n’daç ti mos me nejë n’hije!

Se ti je lule e adhurueshme për marak

Si zjarmi të përvëlon me atë bukuri

Erëmirë që parfumos zemrën n’flakë

Lum ai që ka më të mjellë në saksi.

Ti je ëngjëlli që botën e mbush me jetë

Se ti je kanga si shportë me tinguj të freskët

Dashnia për ty asht vullkan që shpërthen

E fjala për ty merr hire të lume princesh.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT