Foleja
Zhvendosej ngadalë akuarelit në lëvizje,
nën shiun që rrëzohej me vrull,
e me rrathë eliptik
shpërhapte rrëfenjat e një foleje
që heshtur qëndronte pemës së zhveshur
reve shpëlarë
si kujtim i një dashurie…!
Lumi
Vrapit drejt detit,
puthte kurmin e zhuritur të tokës
e shtrati shndërrohej në prehër adhurimi,
ku gjithçka
e dehur nga pritja,
shuante etjen magjepsjes
thelluar në gjurmë fryme
feksjes së dritës në shkrepëtimë dëshire… Nganjëherë,
zbrazte mllefin e papërmbajtur të një shtërngate
shkatërronte me shkulm ç’gjente përpara
duke lënë pas lot e dhimbje,
e dashurinë udhëhumbur,
rrëzuar kafshimit
nën petkun e vetmive që jepte shpirt.
Pulëbardha
Pulëbardha kishte mbërritur atje,
kufirit tek ëndërronte,
ku e kaltërta e qiellit me të detit puthej,
e tek zhytej kurajshëm,
një dallgë tej mbytej emocioneve…
Valle cigane
Shtohen tallazet erës së marrë
vozitur në një një det me lopata të
për të kapërcyer mjergullën e kafshuar buzëqeshjen,
për të vrarë më shumë thellësisë në heshtje… .
Mërmërijnë pulëbardhat,
zbrazën klithmat në rrokje psherëtimash
gjykimit në një rreth të valles cigane.
Shkallët
Qarkuar zhurmash zgjoj dhe sot mëngjesin
e brenda ndjej boshin e së djeshmes,
lodhjen e vonë,
zhgënjyer nga pagesa lajkatare…
Sërish ngjit shkallët e një teatri të rremë
të pakohë, pa të ardhme, pa destinacion,
ku buratinë të tjerë të pafajshëm
kafshojnë pilula të hidhura hipokrizie
lakmisë që s’ngopet,
orëve që s’ ndalojnë,
duke lënë pas një jetë
ndonëse më të varfër
por njëmijë herë më e mirë…