MBI URË ME SHTATË HARQE
Rrjedh o lum i çiltër
Që vjen nga burimet,
Çfarë bartni tej grykave
Rërë a gurë përrojesh?
Apo sjell me vete
Figura fildishi
Relikte mitike
Skulptura Dodone.
Ka ditë rri këtu
Mbi urën me harqe
Prej aty vrojtoj
Kalanë e Beratit,
Dëgjoj gurgullimën
Ujin si kristal
Që vjen me rrëmbim
Grykave të shpatit.
Kujtesën e kthej
Nëpër mileniume,
Kur zonjat pellazge
Zbritnin me zotërinjë,
Vinin epirotët
Nga brigjet e Jonit
Nga Arta, Preveza
Vasha e të rinjë.
Vinin nga Dardana
Nga Troja e Kreta,
Duke hedhur hapin
Këngëve ritmike,
Qindra krushq Janine
Shalonin kuajtë
Çamçe ngritnin shpatat
Valleve pirrike.
Prej Tune grup burrash
Delmatë e të tjerë,
Këngën nuk e ndalnin
As zurlë e tupana,
Lart qiejve përcillnin
Me dhjetra shqiponja
E me krahë të lehtë
Vrik zbriste Dodona.
UJNAJA MAGJIKE
Unë e kisha parë
Dodonën ku rrinte,
Ku lidhte gërshetin
Ku hidhte shiqimin,
Si i ngjitej lehtë
Pyllit me fistiqe
Dhe si cak të fundit
E kishte Burimin.
Vërtet çudibërës
Kjo ujnajë magjike,
E gjejmë mbushur plot
E pastaj shterron,
Prapë në mes të ditës
Lart e ngrit nivelin
Deri në mëngjes
Me të shpejtë vrion.
Aty lante faqet
Sytë, ballin e qafën
Me duar e fërkonte
Trupin gjer te beli,
Ai që e shikonte
E shitonte zana
Por ketë se përfillte
Piktor Kokodheli.
Ai thonë me penë tushi
Tush të asaj kohe,
Shndërrohej në hije
Sytë ia vizatonte,
Pas pak me kujdes
Ngjyrat i përzinte
Me brushën e hollë
E portretizonte.
I shpërthente muza
Edhe vet hyjneshës,
Thuhet vargje ritmi
Thurte në poezi,
Vinte fluturimthi
Një pëllumb i bardhë
S’bashku me të bukuren
shprushnin melodi.
Me mallë i këndonte
Të dashurit në front
Duke mbrojtur Trojen
Nga mijëra barbarë,
“Ruaje diell e qiell
Ti hënë e bekuar,
Të ma kthesh Hektorin
shëndosh ti moj zanë”!…
NË VARGJE POETI
Në vargje poeti
Gjelbëron livadhi,
Kurorës së lules
I rritet petali.
Pylli ndërron ngjyrën
Degëzat gjethojnë,
Ariu rrah daullen
Ketrat vallëzojnë.
Këndon gargullesha
Si me megafon,
Zëri saj i lartë
Gjumashët i zgjon.
Me penën magjike
Sjell ngrohtësi vere,
I mbëlton shpatijet
Me lëng manaferre.
NË SY PRANVERE
Vargje për heroin Ajet Rrukiqi
i rënë me 30.04.1999 në Fortesë të Drenasit.)
Në fëmijëri Ajeti kishte mësuar
Si luftohet për liri e flamur,
Edhe kur rritej, kur u bë burrë
Atdhetarizmit nuk ju nda kurrë.
Dhe erdhi dita siç e priste
Tokës dardane namin t’ia rriste,
Me shpirt e zemër plot Shqipëri
Flakë zjarri villte pushka e tij.
Falë gjakut tuaj sot zë Fortese
Buqet hareshëm në çdo ditë feste,
Zogjët këdojnë për ju, për ne
E n’sy pranvere thurin fole.