Sunday, August 3, 2025
BallinaVitrina e libritÇaste poetike me poeten Marjeta Shatro Rrapaj

Çaste poetike me poeten Marjeta Shatro Rrapaj

Ja pse!

Përhumbemi në magjinë e diellit,

dallojmë senset e fshehura,

sepse rizgjohen vizionet e ritmeve,

aritmitë shqisore,

në padukshmëritë iluzive.

Shtresohen ngjyrat,

mes paqartësive ngatërrestare,

çrregullësive superane

e memecërive ulëritëse.

Për të folur për harmoni tingujsh,

për rregullësinë e botës së çmendur

për ndarjen e ngjyrave nga njëra-tjetra.

… për përzierje të pazbërthyeshme,

për të ndier fjalë e për të shijuar forma,

për të dëgjuar tinguj

e për të nuhatur fragranca…

Tëhuajsim i qelqtë...

Tëhuhemi,

kur thellohen konturet e ndjesive,

nën imtësinë e tingujve e imazheve

në amështinë e pakuptimësisë,

në pasivitetin e mungesës,

në ftohtësinë sfilitëse,

kur syri i ndjeshëm reagon

ndaj ndryshimit e kontrastit

e pesimizmi poetik izolohet,

se Orfeu brenda vetes tonë

prin në rrugën drejt dritës,

mbushur mallëngjim,

mundësi e pamundësi

me pengun për të kapërcyer

të pakapërcyeshmen,

vetëm për të frymëzuar simpati

për krijim konceptesh shpirtërore

nën pushtetin e frikshëm të së padukshmes

për shkrirje e transformim të realitetit të përçudnuar…

I tepërt?!

Si mund të jetë

njeriu i tepërt,

kur jep gjithçka

e nuk merr asgjë,

kur ngazëllimi i shkatërrohet

në një çast të vetëm

e me indiferentizëm

mat rrugën e bërë?

Me ftohtësi

ngrin entuziazmin kalimtar

e tërhiqet shpirtit të trishtë,

plot kujtime,

që viteve kanë rrjedhur

rrëmbyeshëm,

përzier me mjegullën

e frikës së lehtë,

të netëve të largëta,të errëta

ngarkuar me elektricitet qiellor

përthithur prej qenies

nën gjerdanin e hënës

që magjeps me lagështinë e saj

në hetim esencial të të qenit apo jo i tepërt

në butaforinë perverse të fajit të pabërë…

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT